Lezha vendos tarifë në varreza, kryebashkiaku Ndreu: S’tolerojmë më abuzimet
Një vendvarrim në Lezhë do të kushtojë 25 mijë lekë (të reja). Vendimi është miratuar nga Këshilli Bashkiak dhe pritet të hyjë në fuqi pasi të marrë miratimin e prefektit. Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, deklaroi se personat që kanë krijuar varre familjare përpara miratimit të projektvendimit do të duhet të provojnë se ato janë të nevojshme për përdorim familjar.
“Do të bëjmë identifikim të plotë. Nëse janë bërë varre familjare para këtij projektvendimi, ata persona duhet të vërtetojnë se janë për nevojat familjare. Por nëse ai vendvarrim shitet me 4 mijë euro në treg të zi, kjo nuk do të tolerohet më nga bashkia”, u shpreh Ndreu.
Në varrezat publike nuk do të ketë më varrime pa lejen e Bashkisë. Familjarët do të duhet të paraqiten pranë njësive administrative certifikatën e vdekjes për të marrë autorizimin dhe për të kryer pagesën përkatëse. Nga tarifa do të përjashtohen familjet në nevojë.
Vendi i varrit nuk do të zgjidhet më sipas preferencave por do të caktohet nga Bashkia sipas planit per hapësirat e lira. Çdo varrim do të regjistrohet në regjistrin elektronik, ndërsa zhvarrimet do të lejohen vetëm në rastet e parashikuara nga ligji. Po ashtu, ndërtimi i varreve familjare, vendosja e monumenteve apo çdo ndërhyrje tjetër në varreza do behet me leje te posacme.
KOHA JONË SONDAZH

