Liderët politikë dhe fetarë urojnë Krishtlindjet

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, përcolli me rastin e Krishtlindjes urimet më të mira për besimtarët dhe popullin e Kosovës. Ai uroi që kjo festë të kthehet në burim shprese, jete dhe dashurie për gjithsecilin e t’iu mundësojë të gjithëve të kenë më shumë paqe, dashuri, mirëkuptim dhe pajtim. Imzot Gjergji foli edhe për eksponentët politikë për të cilët tha se nuk po arrijnë të bashkëpunojnë në të mirë të njerëzve e të vendit.

“Mbi gjitha, është e çuditshme dhe e dhimbshme njëkohësisht që, gjithandej ku jetojnë shqiptarët, ndihet njëlloj mosbesimi kolektiv tek e ardhmja më e mirë. Dhe, vërehet qartë se si disa i frenojnë proceset që çojnë drejt këtij qëllimi. E, në anën tjetër, nuk mungojnë edhe ata që me kryeneçësi duan të na shpie të gjithëve te fati që kanë paracaktuar për ne”, është shprehur Imzot Dode Gjergji.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, gjithashtu i ka dërguar ipeshkvit Gjergji një telegram urimi, përmes të cilit i uronte të gjithë të krishterëve shëndet, mbarësi dhe lumturi. “Kërshëndellat janë një moment i veçantë që simbolizon e përkujton lindjen, jetën e mbarësinë. Po ashtu kjo festë përçon në mënyrën më të mirë mesazhin për ndërtimin e shoqërisë së shëndoshë e humane”, tha Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj gjithashtu përcolli urimin e tij të festave, dukë kërkuar që ato të sjellin paqe për të gjithë. “Si popull i një trungu, ne, për mijëra vjet kemi festuar së bashku, duke i dhënë kuptim thelbit të festës, lajmin e mirë, shpresën, faljen, dashurinë dhe harmoninë ndërmjet njerëzve. Uroj dhe punoj që kjo traditë unike të rrënjoset si parim i përhershëm dhe model për shoqërinë dhe shtetin tone”, ka qenë mesazhi i tij.

SHKARKO APP