Ligji “Antishpifja”/ KE pret opinionin e Venecias: Kushtëzon procesin e zgjerimit
Komisioni Europian mbështet si vendimin e Presidentit Ilir Meta për të rikthyer për shqyrtim në Kuvend një nga ligjet e paketës së ashtuquajtur “antishpifja”, ashtu edhe vendimin e Parlamentit për të shtyrë shqyrtimin e dekretit presidencial deri kur Komisioni i Venecias të japë opinionin e tij për çështjen në fjalë.
Komisioni është aktivizuar për këtë çështje pas një shqetësimi të ngritur nga eurodeputeti Dominique Bilde për përputhshmërinë e dy projektligjeve me standardet europiane të lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias.
“Në janar 2020, Presidenti riktheu për shqyrtim paketë tek Parlamenti, që vendosi të shtyjë votimin mbi propozimin në fjalë dhe kërkoi një mendim të Komisionit të Venecias. Komisioni mirëpret këto zhvillime dhe pret opinionin e Venecias për çështjen në fjalë”, thotë Komisioni Europian në një deklaratë zyrtare në emër të Komisionerit të Zgjerimit, Oliver Varhelyi.
Komisioni thekson se liria e shprehjes dhe e medias është një prej shtyllave thelbësore të demokracisë dhe kushtëzon fort procesin e zgjerimit. “Si një vend kandidat, presim nga Shqipëria që të përshtarës dhe përputhë të gjithë legjislacionin e saj me standardet ndërkombëtare të Bashkimit Europian në të gjitha fushat”, thotë KE.
Parlamenti shqiptar miratoi në dhjetor të 2019 dy projektligjet, pjesë e paketës që mazhoranca e ka quajtur si paketa “antishpifje”. Njëri ligj lidhej me funksionimin e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, ndërsa ligji tjetër për Autoritetin e Mediave Audiovizive, AMA.
Ndryshimet për herë të parë fusnin në legjislacion konceptin e mediave online, apo të quajtur ndryshe edhe si “portale”. Por, në parashikimet e projektligjit për AMA-n i jepeshin këtij institucion kompetenca që të ndëshkonte me gjoba të majme e deri në mbyllje media të caktuara online që sipas një vendimi të këtij institucioni kishin përhapur lajme të rreme, apo shpifje.
Shoqëria civile, mediat dhe një pjesë e politikës akuzoi se me këtë projektligj Qeveria po i jepte AMA-s kompetenca prej gjykate dhe se pas arsyetimit zyrtar se projektligji synonte rregullimin e tregut të mediave online qëndronte synimi për të kontrolluar këto media.
Pas adresimit në Venecia të projektligjeve nga Këshilli i Europës dhe nga zyra e medias e Organizatës së Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Europë, OSBE, mazhoranca u tërhoq nga ligji për AMA-n, ndërkohë që tha se ligji për AKEP është plotësisht në përputhje me standardet e BE-së.
Problematikën me draftin në fjalë e njeh edhe Komisioni Europian, që thotë se pret nga autoritetet që të adresojnë të gjitha shqetësimet e ngritura nga shoqëria civile, media dhe komuniteti ndërkombëtar mbi përmbajtjen e këtij drafti.