Ligji “Antishpifje”, Boçi: Qeveria u tërhoq nga presioni ndërkombëtar

Ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi shprehet se tërheqja e qeverisë për të mos rrëzuar dekretin e Presidentit për rishikimin e ligjit antishpifje, ka ardhur si rezultat i presionit ndërkombëtar. Ai e konsideron si tërheqje të përkohshme, pasi sipas tij ende Kryeministri, Edi Rama nuk ka reflektuar kritikat për ligjin. Ish-deputeti i PD-së thekson se, ligji i miratuar në fund të vitit të kaluar nuk mund të “arnohet” por nevojitet një ligj i ri.

“E konsideroj se është një tërheqje si rezultat i presionit ndërkombëtar dhe organizatave për mbrojtjen e lirisë së fjalës. Mazhoranca nga ana tjetër vijon rrugën pa krye për të miratuar paketën që është sjellën në Parlament. Ai ligj nuk mund të arnohet dhe modifikohet pasi në thelb synon censurën”, u shpreh Boçi për “Euronews Albania”.

Nga ana tjetër, ai shtoi se ky ligj gjithashtu bie në kundërshtim me Kushtetutën. “Qëllimi i Ramës është bllokimi i mediave online si denoncuese e të së vërtetave të hidhura të qeverisë së tij, e cila ka dalë hapur fare në të gjitha raportet ndërkombëtare, në pjesën më të madhe të opinionit kombëtar por edhe ndërkombëtar, e lidhur ngushtë me krimin, e lidhur ngushtë me korrupsionin, e lidhur ngushtë me shumë afera që e kanë çuar në zgrip jetën ekonomike dhe sociale të shqiptarëve, e reflektuar kjo në një krizë totale politike që kërkon një zgjidhje të shpejtë, politike, me zgjedhje të parakohshme”.

SHKARKO APP