Ligji i ri, ku do të shkojnë pasuritë e sekuestruara nga shteti
Pasuritë e luajtshme, ku përfshihen automjetet, pajisje elektronike etj, të cilat amortizohen me kalimin e kohës apo u bie vlera shpejt, do të shiten që në fazën e sekuestrimit, duke mos pritur vendimin e formës së prerë të konfiskimit nga gjykata.
Kjo është kompetenca më e re që i është shtuar prej qershorit Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Të ardhurat që do të krijohen do të ngrihen në një llogari të veçantë bankare. Në rast se prona e luajtshme do t’i kthehet pronarit të ligjshëm, ai do të përfitojë vlerën e shitjes, por kur gjykata do të miratojë konfiskimin të ardhurat do të kalojë në buxhetin e shtetit.
Nisma është marrë pas ngarkesës që është krijuar me automjetet dhe motorët e sekuestruar të cilët qëndrojnë në pikat e bllokimit apo dhe në komisariate.
Ky problem që ekziston prej shumë vitesh, siç duket do zgjidhet me miratimin e projektligjit “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”.
Kështu për të mos humbur vlerën dhe për të minimizuar koston e një kompensimi të mundshëm që vjen nga amortizimi e tyre, makinat do të shiten ose do vihen në funksion të institucioneve ligjzbatuese, si policia, prokurori, gjykata dhe të tjera.
Për realizimin e këtij procesi, fillimisht vendoset ngrirja dhe kthimi apo në buxhet të shtetit në varësi të vendimit të gjykatës.
Sipas draftit që është miratuar shitja e parakohshme e këtyre pasurive të sekuestruara do të sillte një përfitim për të gjithë, pasi jo vetëm ruhet vlera momentale e pasurisë së luajtshme (autoveturë, pajisje teknologjike dhe IT, gjë e gjallë, etj), vlerë e cila do të humbte fare, në qoftë se këto pasuri do të mbaheshin deri në përfundim të afateve procedurale gjyqësore, por edhe shkurton ndjeshëm shpenzimet e Agjencisë për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e tyre.
Me miratimin e projektligjit “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”, synohet krijimi i një regjistri të veçantë ku përfshihen edhe pronat e paluajtshme që sekuestrohen të krijuara nga krimi i organizuar.
Ky institucion që deri më sot ka funksionuar me anë të VKM-ve dhe në varësi të Ministrisë së Financave, do të realizojë dhe menaxhimin e pronave, si shitjen apo dhënien me qira të pronave të paluajtshme, të cilat sekuestrohen me vendim gjykate.
Agjencia gjithashtu do të merret me pasuritë e sekuestruara e të konfiskuara me vendim të gjykatës kompetente, sipas përcaktimeve të ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”; pasuritë e bllokuara e të sekuestruara “Për masat kundër financimit të terrorizmit”; si dhe pasuritë, për të cilat është vendosur masa e sekuestrimit preventiv, sipas kreut VI, të Kodit të Procedurës Penale, dhe ato të konfiskuara me vendim të gjykatës kompetente sipas nenit 36, të Kodit Penal, të cilat janë produkt i veprave penale apo të lidhura me to.
Por si e komentojnë ekspertët e fushës miratimin e një ligji për herë të parë për Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara?
Për ekspertin e fushës në luftën kundër pastrimit të parave, drejtues për disa vite i AAPSK-së, miratimi i këtij ligji është një lajm shumë i mirë, në faktin që tashmë ky institucion do funksionojë me ligj të posaçëm, por ligji duhet të ndryshonte nga VKM-ja me të cilën funksiononte deri para miratimit të ligjit./ oranews