Ligji për Gjykatën e Lartë, mazhoranca rrëzon Nishanin tek “Ligjet”
Komisioni i Ligjeve hedh poshtë dekretin e Presidentit Bujar Nishani, për ligjin e funksionimit të Gjykatës së Lartë.
Ligji i kthyer në Kuvend nga Kreu i Shteti, shkaktoi debate mes palëve në mbledhjen e zhvilluar në orët e pasdites së sotme.
Deputetët e mazhorancës kërkuan rrëzimin e dekretit, ndërsa opozita u ka kujtuar kolegëve se janë të detyruar nga marrëveshja e nënshkruar sëbashku që ta miratojnë me konsensus këtë ligj.
Kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj tha se ligji s’ka lidhje me reformën në drejtësi. Sipas tij nuk duhet mendimi i Komisionit të Venecias për çdo ligj.
Me 9 janar 2015, Presidenti Bujar Nishani ktheu për rishqyrtim në Kuvend disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë” i miratuar në parlament në muajin dhjetor, duke i cilësuar ndryshimet në shkelje të Kushtetutës dhe në cënim të kompetencave të tij.
Gjithashtu në dekret Presidenti thekson se ligj i kaluar në mënyrë të përshpejtuar, nuk i shërben qëllimit për të cilin u draftua dhe për më tepër krijon një imazh negativ para partnerëve ndërkombëtarë referuar pritshmërive të tyre sa i takon reformës në drejtësi.
KOHA JONË SONDAZH

