Lihet në burg sekretarja e Ministrisë së Shëndetësisë, 330 mijë lekë ryshfet për favorizimin e një kompanie
Këtë të hënë, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për zyrtaret e Ministrisë së Shëndetësisë, konkretisht për Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro dhe specialisten në zyrën e prokurorimeve të Ministrisë, Laura Sheto.
330 mijë lekë ryshfet që dyshohet se u morën për favorizimin e një kompanie në procedurën e një prokurimi publik, çuan në pranga Sekretaren e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro. Shuma e lekëve u gjet në zyrën e Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, fill pas arrestimit të saj nga policia.
Tenderi për të cilin dyshohet se ka marrë ryshfet Joana Duro ishte per “Supervizimi për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”, Loti i Parë. Fondi limit i këtij tenderi mësohet të ketë qenë 51 milionë Lekë, teksa fituese është shpallur një kompani e cila ka ofruar 40 milionë Lekë.