Lindi pas tërmetit, Ajsel akomodohet bashkë me familjen në Manëz
Ajsel është banorja më e re e Manzës, e cila erdhi në jetë 2 ditë pas tërmetit të fortë të mëngjesit të 26 nëntorit. Familja Sula mbeti e pastrehë si pasojë e tërmetit dhe u strehua në çadrën e emergjencës në Manëz, nëna Ardjana solli në jetë Ajselin. “Ishte një tronditje e madhe. Ishim të shokuar. Kur pushuan lëvizjet dolëm nga shtëpia. Ishte tmerr. Shtëpia ishte e pabanueshme. Jetonim në pallat. Isha në ditët e fundit të shtatzanisë“, – shprehet Ardjana.
Ardjana qëndroi në maternitet bashkë me të voglën Ajsel, deri sa në Manzë dy zv/ministret, ajo e Mjedisit dhe Turizmit, Ornela Çuçi dhe ajo e Drejtësisë, Fjoralba Caka, pjesë e Shtabit të Emergjencave i siguruan Ajselit të vogël një strehëz në njësitë lëvizëse akomoduese, por edhe gjithçka i nevojitej asaj, vëllait më të madh dhe të gjithë familjes, falë kontributit të organizmave humanitare që operojnë në vendin tonë, por jo vetëm.
Zv/sministrja Çuçi thekson se prioritet në akomodim në njësitë lëvizëse iu është dhënë banorëve që kanë patur më shumë problematikë, si nëna e Ajsel. I kemi siguruar, thotë ajo, gjithçka deri në gjënë e fundit që i nevojitet Ajselit dhe tani po e shoqërojmë në strehëzën e saj provizore por që i ofron të gjitha kushtet. ”Na janë ofruar të gjitha shoqatat që po operojnë në Shqipëri këto ditë, duke na siguruar çdo lloj produkti që kishin në gjendje për një bebe. Ajsel ka rezerva deri në momentin që ajo do të jetë e akomoduar në shtëpinë e saj të re”, shprehet Çuçi.
Kurse zv/ministrja e Drejtësisë, Fjoralba Caka së bashku me një grup vullnetarësh i urojnë mirëseardhjen Ajselit në shtëpizën e saj provizore. Sipas saj, vullnetarët që po operojnë që në ditën e parë në Manzë nuk pranuan të largoheshin sot pa ardhur Ajsel. Është bukur të presësh një bebe, vijon Caka, pavarësisht në cilën situatë.
”Momente si ky, na bëjnë më të fortë. Është bukur në fakt kur sheh që njerëzit ja dalin, pavarësisht sfidave dhe se jeta triumfon mbi çdo fatkeqësi. Ky është një emocion i veçantë. Është bukur të shikosh forcën e këtyre njerëzve që nuk dorëzohen dhe që luftojnë për më të mirën për veten e familjarët. Kjo na jep edhe motivim që ne të punojmë më fort”. Mbi 12 vullnetar të rinj po qëndrojnë në Manzë duke dhënë ndihmën e tyre me vendosjen e tendave apo shpërndarjen e ndihmave.
KOHA JONË SONDAZH

