Lindita Nikolla reagon pas letrës së Autoritetit të Dosjeve: Rasti tronditës! Kuvendi duhet të ndërhyjë
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka reaguar në lidhje me letrën informuese nga ana e Autoritetit të Dosjeve, ku vihej në dijeni se politikani me inicialet I.M figuron me dosje në ish-Sigurimin e Shtetit.
Nikolla nuk e përmendi identitetin e plotë për politikanin I.M, por e cilësoi ngjarjen rast tronditës. Sipas saj Kuvendi duhet të reagojë.
Lindita Nikolla ka deklaruar se është e gatshme për të mbledhur Kuvendin në çdo kohë lidhur me shqetësimet e ngritura nga Autoriteti i Dosjeve të Sigurimit të Shtetit për politikanin I.M.
“Autoriteti i Dosjeve më vë ne dijeni të identitetit të këtij politikani e kërkon nga Kuvendi ndërhyrje të menjëhershme për adresimin e një pengese ligjore që nuk ia mundëson Autoritetit veprimet e duhura. Rasti është tronditës dhe Kuvendi duhet të adresohet menjëherë. Prandaj kam thirrur kryetarët e grupeve parlamentare, kryetarët e komisioneve të Sigurisë dhe Ligjeve i kam informuar mbi letrën. Identitetin e politikanit I.M. si dhe gatishmërinë tim për të mbledhur Kuvendin në çdo kohë. Dua të falenderoj Autoritetin e Dosjeve për rastin. Ky rast ngre pyetje të rëndësishme për shoqërinë tonë dhe forcat politike. Në respekt të ligjit, të këtij rasti tronditës nuk mund të flasë më shumë në këtë faze”, tha Nikolla.