”Liria e Kosovës u fitua me gjak”, ish-presidenti Moisiu: Qarqet serbo-ruse fabrikuan akuzat për ish-krerët e UÇK-së
Një mesazh të fortë në protestën pro UÇK-së në sheshin ”Skëndërbej” e dha edhe ish-Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, duke i cilësuar luftëtarët e UÇK-së si burra të drejtë dhe guximtarë. Për të liria e Kosovës nuk ishte dhuratë, por e fituar me gjak. ”Jemi mbledhur për të mbrojtur dinjitetin tonë kombëtar, për të ngritur zërin kundër padrejtësisë që po u bëhet bijve më të mirë të Kosovës dhe kombit shqiptar, luftëtarëve të UÇK-së që luftuan për lirinë e atdheut”,-tha Moisiu.
Nga ana tjetër, Moisiu kujtoi vizitën në Hagë më 29 shtator 2022, së bashku me ish-presidentët Meidani, Topi, Pacolli dhe ish-kryeministrin Pandeli Majko, ku patën takuar Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Moisiu tha se këta burra ishin të qetë, të vendosur dhe të gatshëm të sakrifikojnë për pastrimin e luftës së drejtë të UÇK-së.
Gjatë fjalës, Moisiu përmendi mbështetjen që UÇK-ja ka pasur nga NATO dhe SHBA gjatë luftës, si dhe rolin e dëshmitarëve amerikanë që sipas tij po vërtetojnë pafajësinë e ish-drejtuesve të UÇK-së në gjykatë. Po ashtu nënvizoi se janë burgosur pa prova, me akuza të fabrikuara në qelat e errëta serbo-ruse.
“Liria e Kosovës nuk është dhuratë, por është fituar me gjak, sakrifica dhe vendosmëri. Nuk mund të pranojmë që të nëpërkëmbet gjaku i shqiptarëve Sot më shumë se kurrë duhet të jemi të bashkuar për të mbrojtur të ardhmen e kombit tonë të vuajtur. I bëj thirrje drejtësisë të tregojë veten. Lavdi dëshmorëve të UÇK-së! Liri për drejtuesit e UÇK-së! Zoti e bekoftë Kosovën! Zoti e bekoftë Shqipërinë”.
KOHA JONË SONDAZH

