Lirohet polici Roland Meta. Vrau Arianit Sterjon

 

 

Punonjësi i rendit, Roland Meta, i arrestuar më 5 janar të këtij viti, është lënë i lirë sot pasi Prokuroria për Krime të Rënda ka konkluduar se veprimet e tij gjatë një përplasje me armë tek rruga e Kavajës kanë qenë konform ligjit.

Deri më sot, mbi efektivin e policisë Roland Meta rëndonte akuza e vrasjes të kryer me dashje, e ngritur nga Prokuroria e Tiranës, e cila i kishte kërkuar tri ditë pas atentatit Gjykatës së Tiranës vendosjen e Roland Metës nën arrest dhe kjo e fundit ia komunikoi Metës vendimin në ambientin e spitalit ku ai po kurohet.

Roland Meta mbeti i plagosur gjatë një shkëmbimi zjarri me shtetasin Arianit Sterjo alias Artur Baze, ndërsa ky i fundit mbeti i vrarë. Sipas versionit të policisë, Sterjo kishte hapur zjarr dhe kishte plagosur shtetasin Pajtim Seriani dhe më pas kishte tentuar të largohej. Roland Meta, që gjendej në vendngjarje, ka ndjekur Sterjon, i ka bërë thirrje të hidhte armën, por ky i fundit është larguar me vrap pas plagosjes se Pajtim Serianit. Sipas hetimeve rezulton se gjatë shkëmbimit të zjarrit në rrugicat ndërmjet rrugës “Islam Alla” e “Him Kolli”, është plagosur efektivi Mete dhe ka mbetur i vrarë atentatori.

Për këtë rast Prokuroria e Tiranës kërkoi arrestimin dhe mbajtjen në burg të policit Mete, i cili nuk ka qenë në shërbim gjatë kësaj ngjarje dhe sipas organit të akuzës ai ka kryer vrasje me dashje pasi ka kaluar përgjegjësitë e efektivëve me uniformë në rastin kur ata përdorin armët. Sipas ligjeve në fuqi, personat me uniformë të cilët janë jashtë shërbimit dhe hapin zjarr kanë përgjegjësi personale.

Por sot Prokuroria për Krime të Rënda e ka pushuar çështjen në ngarkim të Metës dhe për rrjedhojë ai është lënë i lirë.

Ngjarja e datës 5 janar, ku një person mbeti i vrarë dhe u plagosën dy të tjerë ende nuk ka ndonjë pistë konkrete. Po ashtu, mister ka mbetur nëse kjo ngjarje lidhej me atentatit ndaj Emiljano Shullazit në Qafë Kashar po atë natë. Autorët e këtij atentati nuk janë zbuluar ende, ndërkohë që Shullazi u la i lirë pas marrjes në pyetje nga policia.

SHKARKO APP