Rama në OKB: Protesta në Tiranë u ngrit mbi ”fantazmën” e pushtimit izraelit. Kemi ministre virtuale, e para në botë
Kryeministri Edi Rama mbajti fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, ku përmendi që Shqipëria u bë shteti i parë në botë që në qeveri përfshiu një ministre të krijuar nga Inteligjenca Artificiale, të quajtur ”Diella”. ”Shqipëria u bë vendi i parë që solli ministren e parë me IA, Diellën. E bëmë për t’i bërë procedurat më transparente dhe shtetin më llogaridhënës. Asnjë algoritëm nuk mban mandat. Pas çdo vendimi me ndikim publik duhet të mbetet një mandat ligjor”, tha kreu i qeverisë shqiptare.
Duke folur për rrezikun nga Inteligjenca Artificiale, Rama u ndal edhe te protestat në Tiranë, duke iu referuar një imazhi të përhapur në rrjetet sociale. Në të shfaqej një gardh me tela me gjemba dhe një tabelë që e paraqiste zonën e Zvërnecit si një kufi mes Shqipërisë dhe Izraelit, shoqëruar me flamujt e dy vendeve. Rama tha se mbi këtë imazh u ndërtua një narrativë e rreme për një “pushtim izraelit” të bregdetit shqiptar, e cila sipas tij u përhap në rrjet dhe nixiti protesta kundër një “fantazme”.
”Jam i bindur se ju e keni ndjekur revolucionin e flamingove, një narrativë e fabrikuar për pushtimin izraelit të bregdetit shqiptar, një pushtim që s’ka ndodhur kurrë, por kjo u fabrikua dhe u përcoll përmes zërave, faqeve dhe kanaleve. Qytetarët i kanë besuar tashmë. Qytetari mori një histori të tradhtisë kombëtare, një tjetër të provokimit fetar, një tjetër për një pushtim të jashtëm. Fabrikime të ndryshme u futën në botë të ndryshme emocionale dhe të gjitha i shërbenin gënjeshtrës strategjike. Pasojat ishin reale. Qytetarët kishin arsyet për të protestuar, por ata papritur ishin duke protestuar kundër një fantazme tashmë.
Frika u bë zemërim, zemërimi u bë mobilizim dhe fabrikimi u bë realitet. Nuk ishte eksperiment, nuk po ju flas për film. Ishte një e martë në Tiranë. Algoritmi nuk shpiku objektivin, këtë e bëri një aktor njerëzor. Ky është mashtrim sistematik. Ndërhyrja në zgjedhje nuk kërkon më që një TV publik apo një propagandë t’i drejtohet një popullate të tërë. Tashmë mund të ndikojë te vullneti i çdo votuesi”, tha Rama.
Ndër të tjera, kryeministri deklaroi në OKB se Shqipëria është kundër kufizimit të inteligjencës artificiale, duke theksuar nevojën për sovranitet dixhital. Sipas tij, çdo shtet duhet të ketë kapacitetet për të mbrojtur gjuhën, për të zbuluar manipulimet dhe për të informuar qytetarët pa u varur nga korporatat e huaja. Rama tha se Shqipëria po ndërton një “pasqyrë dixhitale” me IA, që synon të identifikojë përmbajtjet dhe koordinimet e manipuluara, pa u diktuar qytetarëve se çfarë të mendojnë. “Sovraniteti dixhital s’mund të jetë privilegj i shteteve të pasura. Gënjeshtrat udhëtojnë pa viza”, u shpreh ai.
Rama tha se liria e shprehjes po kërcënohet nga manipulimi i fuqisë së shpërndarjes së informacionit. “Kur një gënjeshtër shumëfishohet miliarda herë, e vërteta varroset”, u shpreh Rama, duke theksuar se qytetarët mund të përfundojnë duke jetuar në realitete krejtësisht të ndryshme informative. Sipas tij, mbrojtja e demokracisë nuk nënkupton kontrollin e asaj që mendojnë qytetarët, por transparencë dhe ekspozim të manipulimit të shpërndarjes së informacionit. “Të mbrosh lirinë e shprehjes, duke e lënë kontrollin e shpërndarjes në terr, është njësoj si të mbrosh derën, por të dorëzosh gjithë dhomën”, deklaroi Rama.


