Apeli nga Rama në OKB: Shqipëria kërkon marrëveshje ndërkombëtare, për një Inteligjencë Artificiale sovrane dhe demokratike

Gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kryeministri Edi Rama u ndal te nevoja për një marrëveshje ndërkombëtare që do të vendoste parime të përbashkëta për një inteligjencë artificiale sovrane dhe demokratike. Në fokus të propozimeve është transparenca ndaj qytetarëve, veçanërisht në rastet kur inteligjenca artificiale përdoret për të prodhuar ose ndryshuar përmbajtje me ndikim politik.

“Së pari, qytetarët duhet të dinë kur përmbajtja politike me ndikim është gjeneruar artificialisht apo është manipuluar në përmbajtjen e saj”. Rama kërkoi gjithashtu më shumë transparencë mbi mënyrën se si përmbajtja politike shpërndahet dhe arrin te publiku, duke vënë theksin te aktorët që mund të kenë rol në krijimin, financimin apo amplifikimin e saj. “Së dyti, arkitektura e shpërndarjes duhet të bëhet transparente. Qytetarët dhe shtetet duhet të kenë të drejtë të dinë kush e krijoi, financoi, shënjestroi apo amplifikoi artificialisht përmbajtjen politike me ndikim”.

Një tjetër element i rëndësishëm i fjalimit ishte përgjegjësia e institucioneve publike në përdorimin e inteligjencës artificiale. Sipas Ramës, përdorimi i IA në vendimmarrje apo procese me ndikim publik duhet të jetë i shoqëruar me një përgjegjësi të përcaktuar qartë. ”Së treti, çdo përdorim me ndikim i IA-së nga një institucion publik duhet të ruajë një zinxhir të qartë llogaridhënieje ligjore dhe njerëzore”.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?