
Aktivistët Dritan Goxhaj dhe Edison Likaj u shoqëruan pasditen e sotme në Komisariat pas kundërshtimit të gjobave të parashikuara nga akti i ri normativ për zhvillimin e tubimeve. Pas lirimit nga Komisariati, Goxhaj e ka cilësuar të paligjshëm veprimin e policisë. Sipas tij, protesta pranë Kryeministrisë ishte njoftuar paraprakisht dhe po zhvillohej brenda orarit dhe në vendin e përcaktuar në njoftimin përkatës.
“Është një kundërvajtje administrative dhe policia arreston njerëzit për kundërvajtje administrative. Është e paligjshme”, u shpreh aktivisti, duke kundërshtuar masat administrative të vendosura ndaj tyre.
Goxhaj pretendon se efektivët u kanë kërkuar dokumentacionin ndërsa ndodheshin në bulevard, pavarësisht se, sipas tij, tubimi ishte i njoftuar dhe zhvillohej në përputhje me kushtet e përcaktuara.
“Na komunikuan gjobën, as firmosëm dhe as pranuam ta marrim. Nuk arsyetuan asgjë”, deklaroi ai.
Aktivisti përdori tone të ashpra ndaj Policisë së Shtetit dhe kryeministrit Edi Rama, duke i akuzuar efektivët se veprojnë në funksion të qeverisë.
“Është një polici tërësisht mercenare në shërbim të një banditi që është Ed Rama. Jemi në kushtet e një banditizmi të hapur qeveritar”, tha Goxhaj.
Lexoni edhe:
Shoqërimi i tyre shkaktoi tensione, lirohen Edison Lika dhe Dritan Goxhaj
Shoqërimi i protestuesve, organizatori Kola: Duam sqarime! Gjobat janë qesharake
Shoqërimi i aktivistëve, protestuesit mblidhen te Drejtoria e Policisë së Tiranës
Pas 150 ditësh protestë, studentët ndryshojnë strategjinë dhe marrin vendimin e fortë
