Protesta e studentëve kundër qeverisë ”Rama 4”, pas trazirave të ditëve të fundit, pritet të hyjë në një fazë të re organizimi. Grupimi “Studentët në protestë” ka njoftuar ndryshimin e strategjisë, duke vendosur që tubimet kombëtare të zhvillohen dy herë në javë. Protesta e radhës është paralajmëruar për të shtunën, më 7 nëntor, në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit.
Në një deklaratë publike, studentët bëjnë të ditur se nga ky moment protestat kombëtare do të organizohen çdo të mërkurë dhe të shtunë, në të njëjtën orë. Sipas tyre, kjo mënyrë e re organizimi synon të ruajë mobilizimin dhe të sigurojë një pjesëmarrje të vazhdueshme të studentëve dhe qytetarëve që i mbështesin. Pavarësisht ndryshimit të strategjisë, studentët theksojnë se nuk kanë ndryshuar qëndrim për kërkesën e tyre kryesore: dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Ata akuzojnë qeverinë se ka shpërfillur kërkesat e tyre gjatë muajve të protestës dhe paralajmërojnë se do të vijojnë rezistencën. Grupimi studentor ka bërë gjithashtu të ditur se do të jetë në mbështetje të protestave të tjera qytetare kundër qeverisë, pa marrë parasysh datën apo orën kur ato organizohen.
“Lufta e shqiptarëve për demokraci vazhdon. Autokracia do të bjerë, ashtu siç ra edhe diktatura”, përfundon deklarata e studentëve. Protestuesit sinjalizojnë se nuk kanë ndërmend të ndalin mobilizimin, por synojnë ta kthejnë atë në një aksion të organizuar dy herë në javë.

