
Elbasani mirëpret për herë të parë Javën Evropiane të Demokracisë Lokale në një aktivitet të përmasave të tilla, me pjesëmarrjen e 135 organizatave nga Shqipëria, vendet evropiane dhe vendet e asociuara me Bashkimin Evropian, si dhe të partnerëve ndërkombëtarë.
Ceremonia e hapjes u zhvillua në sheshin “Gensher”, ku janë vendosur edhe stendat informuese të organizatave pjesëmarrëse, duke krijuar hapësira për prezantimin e veprimtarisë së tyre dhe ndërveprimin e drejtpërdrejtë me qytetarët. Aktiviteti do të vijojë për tri ditë, me mbi 55 panele dhe forume në ambientet e Bashkisë Elbasan, ku në fokus do të jenë demokracia vendore, konsultimi publik, transparenca dhe pjesëmarrja qytetare në vendimmarrje.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi se përzgjedhja e Elbasanit lidhet me traditën e qytetit në komunikimin me qytetarët përmes buxhetimit me pjesëmarrje, konsultimeve publike dhe formave të tjera të dialogut me komunitetin. Ai nënvizoi se synimi është krijimi i urave të qëndrueshme të bashkëpunimit mes pushtetit vendor, institucioneve qendrore, qytetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile.
“Ne e duam zërin e qytetarit në Elbasan, në vendimmarrjet tona. E duam zërin e organizatave dhe të shoqërisë civile për të marrë vendime të drejta, për të qenë sa më pranë qytetarëve, por edhe për të kuptuar se çfarë nuk funksionon mirë në vendimmarrjen vendore apo qendrore”, u shpreh Llatja.
Ai bëri të ditur se prej dy vitesh, Bashkia Elbasan përfiton ekspertizë nga Norvegjia për organizimin e aktiviteteve dhe zhvillimin e formave të debatit publik, me synimin që kjo javë të kthehet në një traditë të qëndrueshme për qytetin.
Në ceremoninë e hapjes ishte i pranishëm edhe ambasadori Michel Tarran, i cili vlerësoi rëndësinë e kësaj nisme për Elbasanin dhe Shqipërinë. Ai u shpreh se momenti aktual në të cilin ndodhet vendi e bën edhe më të rëndësishëm organizimin e aktiviteteve të tilla, të cilat krijojnë dhe forcojnë kanalet e dialogut dhe të konsultimit me qytetarët.
Ambasadori theksoi se këto hapësira duhet të nxiten dhe të zgjerohen, pasi shoqëria civile luan një rol thelbësor në forcimin e demokracisë, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike, si dhe në garantimin e proceseve vendimmarrëse më gjithëpërfshirëse. Ai nënvizoi gjithashtu se organizatat e shoqërisë civile ndihmojnë në forcimin e lidhjes mes qytetarëve dhe institucioneve, duke krijuar mundësi për dialog konstruktiv dhe duke u dhënë më shumë hapësirë mendimeve e këndvështrimeve të ndryshme.
Përgjatë tri ditëve, programi do të përfshijë diskutime mbi transparencën e qeverisjes vendore dhe konsultimin publik, dialogun ndërkulturor, si dhe aktivitete kulturore, sportive dhe krijuese për të rinjtë. Krahas diskutimeve, qytetarët mund të vizitojnë stendat në sheshin “Gensher” dhe të njihen nga afër me nismat dhe veprimtarinë e organizatave pjesëmarrëse.


