
Në kuadër të edicionit të parë të “THU’JE – Platforma për Demokraci dhe Paqe”, që po zhvillohet në Elbasan, Lorena Haxhiymeri, Drejtoreshë e Performancës në Bashkinë Elbasan dhe koordinatore e platformës “THU’JE” për këtë institucion, moderoi një nga panelet e diskutimit, ku në fokus ishte transparenca, komunikimi virtual, dialogu dhe demokracia vendore.
Gjatë takimit u prezantua edhe asistenti virtual (chatbot) i faqes zyrtare të Bashkisë Elbasan, një instrument i ri komunikimi dhe informimi që synon t’u vijë në ndihmë qytetarëve, veçanërisht të rinjve, duke lehtësuar aksesin në informacionin dhe shërbimet e institucionit. Përmes tij, përdoruesit mund të orientohen më lehtë drejt informacioneve që kërkojnë, duke e bërë komunikimin me administratën vendore më të drejtpërdrejtë dhe të aksesueshëm.
Prezantimi u zhvillua në kuadër të diskutimit mbi rolin e teknologjisë në forcimin e transparencës dhe përmirësimin e marrëdhënies mes institucioneve dhe qytetarëve. Në këtë drejtim, asistenti virtual përfaqëson një hap drejt modernizimit të komunikimit institucional dhe krijimit të formave të reja të ndërveprimit, në funksion të një qeverisjeje vendore më transparente dhe më pranë komunitetit.
Platforma “THU’JE”, e zhvilluar nga 28 deri më 30 tetor nën moton “Shumë zëra, një qytet”, sjell në Elbasan përfaqësues të institucioneve, organizatave të shoqërisë civile, të rinj dhe partnerë ndërkombëtarë, duke krijuar hapësira për diskutim dhe shkëmbim përvojash mbi demokracinë, paqen dhe pjesëmarrjen qytetare.