Lotaria amerikane, vijojnë problemet me serverin
Për shkak të mbingarkesës së serverit, një pjesë aplikuesve të lotarisë amerikane nuk janë ende me rezultatet edhe pse përgjigjet kanë dalë prej dy ditësh. Por ditën e enjte, Ambasada e Amerikës ka njoftuar fituesit se duhet të plotësojnë një formular që gjendet në faqen e saj zyrtare.
“This site can’t be reached“. Me këtë njoftim janë përballur një pjesë e madhe e aplikuesve të lotarisë amerikane. Dy ditë pas daljes së përgjigjeve, serveri vijon të jetë i mbingarkuar dhe rezultatet nuk mund të shihen nga të gjithë.
Por ata që janë njohur me përgjigjet dhe fati i ka bërë fitues, duhet të plotësojnë një formular që gjendet në faqen zyrtare të Ambasadës Amerikane.
Për shumë të rinj shqiptarë, Amerika vijon të mbetet vendi ku dëshirojnë të arsimohen dhe jetojnë.
Numri i atyre që kanë plotësuar lotarinë ka njohur rritje çdo vit.
Sipas të dhënave të Departamentit Amerikan të Shtetit përgjatë vitit të kaluar kanë aplikuar mbi 360 mijë shqiptarë.
Por jo të gjithë kërkojnë të largohen. Një pjesë e të rinjve thonë se të ardhmen do ta ndërtojnë në vendin e tyre.
” Mendoj se është shumë e rëndësishme që të rinjtë shqiptarë të investojnë në Shqipëri sepse kontributi i tyre është më thelbësor dhe më i vlefshëm në Shqipëri. Përsa i përket investimit të tyre për edukim apo eksperiencë profesionale kjo është e kuptueshme sepse ka nevojë që kapacitetet njerëzore që ka Shqipëria të rriten”.
“Po të kisha një mundësi për të ikur apo ndenjur, do të ikja me kushtin për të ardhur dhe për të përmirësuar vendin”.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave vetëm përgjatë vitit të kaluar kanë lënë Shqipërinë rreth 39 mijë persona.
KOHA JONË SONDAZH

