“LSI e gatshme të shkojë në zgjedhje që nesër”, Gjosha: Pa plotësuar 9 kushtet e Bundestagut, nuk ka çelje të negociatave
E ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në Neës24, ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, theksoi rëndësinë e një reforme zgjedhore konsensuale, si një nga kushtet e Bundestagut gjerman për çeljen e negociatave.
“Ne mund të kemi në reformë në letër por çështja është si do të implementohet ajo dhe këtu vijm te kushti i dytë i Bundestagut gjerman, për t’i dhënë fund krizës. Ne kemi probleme me nivelin e demokracisë në vend. Është e rëndësishme që kjo zgjidhje të vijë përmes zgjedhjeve të lira, e për këtë nevojitet një reformë konsensuale dhe gjithëpërfshirëse.” -u shpreh Gjosha.
Çfarë pret LSI?
Të gjithë presim rekomandimet e OSBE, jo vetëm LSI. Me rëndësi është të kemi edhe ekspertizën e huaj, për të patur profesionistë për këto lloj reformash, e ne duhet patjetër t’i miratojmë ato. Janë rekomandime që qëndrojnë në tavolinat e politikanëve për mbi 6 vite. Duke parë c’do prodhojë kjo tryezë, LSI është e hapur për diskutime të gjera se sa vetë rekomandimet e OSBE/ODHIR.
A ka LSI propozime konkrete?
Ne kemi përfaqësuesin tonë në tryezë. Ne kemi patur propozimet tona konkrete. Kemi patur propozimet tona sa i përket transparencës së partive politike dhe aty kemi qëndruar fort është e rëndësishme që të gjitha shpenzimet të bëhen publike. LSI ka qënë e vetmja parti që ka implementuar diçka të tillë, por nuk kemi mundur dot të ushtrojmë presion te dy partitë e mëdha. Është me rëndësi që qytetarët të dinë se ku shkojnë paratë e tyre, sepse partitë marrin para nga buxheti i shtetit. Do kishim dashur që partitë të kishin mundësi të tjera financimi dhe jo të marrin nga paratë publike, dhe këto duhet të bëhen publike, po këto janë cështje që do të diskutohen në vijimësi.
Pas reformës më 15 mars çfarë do të ndodhë?
Të shpresojmë se do jetë një ditë e mirë për Shqipërinë, dhe më pas ajo që duam janë zgjedhjet e parakohshme, nuk tërhiqemi nga qëndrimi ynë, si e vetmja zgjidhje për vendin.
A mendoni se do të ketë zgjedhje të parakohshme, Kur?
Nuk i takon opozitën të thotë, është një cështje që e ka në dorë kryeministri i vendit. Jemi në situatë të rënduar ekonomike, në krizë institucionale, ndaj edhe kryeministri duhet të mendohet mirë për të çliruar këtë krizë që ka kapur vendin.
LSI a është gati për zgjedhje?
Nuk ka patur asnjë diskutim si do të shkohet në zgjedhje. Edhe të vetëm kemi rezultuar të suksesshëm dhe ia kemi dalë të marrim më shumë deputetë se sa në koalicion. Për sa kohë ke besimin e qytetarëve, je fitimtarë si do të shkosh në zgjedhje. Jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje që nesër, nuk e dimë a është qeveria e gatshme…
Tryeza për reformën zgjedhore ka qenë një kërkesë eksplicite e opozitës në vend dhe më vjen mirë që ka plotësuar një hap të kërkuar nga Bundestagu. Është e rëndësishme të plotësojmë kushtet, që ato negociata të hapen, janë jetike për vendin, institucionet etj. Ne nuk kemi mentalitete të hapura qeverisje, që i afrohen demokracisë. Kemi patur njerëz që anojnë nga autokracia. Ne jemi mësuar të shohim njerëz që i duan pushtetet në një dorë, por kjo nuk duhet të ndodhë më dhe nuk duhet lejuar.
Nëse votohet reforma, a do të hapen negociatat ?
Ky do të ishte vetëm hapi i parë. Kushti i dytë, është ngritja e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, kjo është një kusht që duhet të plotësohet para samitit të Zagrebit, dhe kjo nuk është në dorën e opozitës. Data për negociatat do të merret pasi të plotësohen 9 kushtet.
A janë rritur shancet për negociatat?
Ky diskutim i takon vendeve anëtare. Nuk e di nëse do të pranojnë kërkesat e presidentit Macron për procesin e zgjerimit, diku mund të lëshohet pe. Por duhet qartësuar diçka, Shqipëria duhet të plotësojë 9 kushtet e Bundestagut, pa to nuk do të ketë një datë për negociatat. Ky është një proces teknik që ndodh me vendet anëtare. Ndoshta mund të jetë ndryshe për Maqedoninë e Veriut, pasi nuk ka kushtet që i janë vendosur Shqipërisë.
Nëse nuk ulim numrin e personave që trokasin në vendet e BE, nuk ka negociata edhe nëse plotësohen kushtet e Bundestagut. Ka një arsye pse njerëzit largohet, duhet bërë një analizë. Shqipëria është vendi i parafundit për punësim, cfarë do të thotë kjo, që njerëzit nuk kanë shpresë. Ndaj edhe kërkojnë të largohen.