Luan Rama: Inva Mula në rolin e Violetës tek Traviata
(Botuar me 9 Dhjetor 1994 në KOHA JONE)
Nga Luan Rama-
… Inva Mula ishte zbulimi i kësaj shfaqjeje. Ajo ishte sublime…
… Ajo ka në vetvete bukurinë dhe manjetizimin e Violetës ashtu siç përjeton dhe dramën e saj…
…Sopranoja shqiptare shumë shpejt do t’i lerë pas sopranot e afirmuara…
Opera e Avinjonit, qyteti më i njohur francez i festivaleve të teatrit, dancit e muzikës, e hapi sezonin e operës lirike këtë vit me operën më të njohur të Verdit, operën fetish “Traviata”. Por ajo çka bëri që në gazetat franceze kjo opera të cilësohej e mrekullueshme, imperiale, sublime dhe e jashtëzakonshme, ishte zëri i sopranos shqiptare Inva Mula. “Çfarë gëzim e kënaqësi e madhe të zbulosh këtë zë. Kuptohet qartë pritja triumfale që i bëri publiku, i tërhequr nga bukuria, hijeshia dhe muzikaliteti i saj… zëri i saj bën mrekullira mes publikut…”.
“Le Provencal”
Një sërë gazetash të Jugut të Francës si “Marseillaise”, “Le Dauphine”, “Le Meridional”, “Le Contandin” etj. e përshëndetën me entuziazëm sopranon shqiptare Mula, ashtu siç e pritën me ovacione të pareshtura publiku, i ardhur nga qytete të ndryshme të Francës, që tradicionalisht triumfet i presin edhe me këmbë që rrahin dyshemenë, çka krijon një pështjellim të gëzuar e të magjishëm. Ishte e para herë që ajo prezantonte të plotë rolin e Violetës në Francë, megjithëse është një personazh që ka shoqëruar ëndrrat e saj, fëmijërinë, rininë dhe tani karrierën e saj shpërthyese. “Violetën”e “Traviatës” e kam parë së pari në fytyrën e nënës sime, më 1973, kur isha fëmijë dhe kur ajo përgatitej për të interpretuar Violetën në skenën e operës në Tiranë. Ajo Violetë atëherë më dukej e magjishme. Nëna ime kishte një paruke tjetër dhe fytyrën e një bruneje, ndryshe nga portreti i Violetës sot. Atëherë ndiqja provat e saj në skenë dhe ëndërroja pa ditur se një ditë do ta interpretoja edhe unë atë. Me rolin e Violetës janë lidhur shumë momente të jetës së saj. Kur mbaroi Konservatorin e Tiranës, në Opera nuk kishte vend për të dhe padyshim duhej të demonstronte një talent të jashtëzakonshëm që të luante në Opera. Kështu ajo guxoi të përfytyronte Violetën me portretin e saj dhe t’i thoshte nënës dhe profesoreshës së saj në kanto, Nina Mulës, që ajo ta dëgjonte. Ishte 22 vjec, tepër e re për një rol si Violeta, por zëri i Ninës i dha kurajo dhe ajo mundi ta prezantonte me dinjitet këtë rol, që do të ishte dhe diploma e saj universitare. “Arien e Violetës jashtë Shqipërisë e kam interpretuar për herë të parë në konkursin “G. Enesco” në Bukuresht ku u vlerësova me çmim. Së dyti, në konkursin “Madame Baterflay” në Barcelonë, ku u nderova me cmimin e parë dhe së fundi në konkursin “Placido Domingo”në Paris, natën e finales, ku u vlerësova laureate e këtij çmimi. Pra kjo arie kaq e dashur për mua, s’më ka lënë asnjëherë në baltë. Fakti që Violeta u duartrokit në Avinjon, tregon se ky rol është pjekur tashmë në krijimtarinë time. Që atëherë kanë kaluar 9 vjet dhe tashmë, me mjeshtërinë dhe eksperiencën e saj, ajo diti të evitojë momentet dramatike që janë mjaft të vështira në këtë opera. “Kur e rimerr pas shumë kohësh një rol arrin ta kuptosh më mirë rolin, të kuptosh evolucionin e tij. Violeta kërkonte një pjekuri vokale e skenike”.
Si arie e Violetës, ajo e ka kënduar atë edhe në Italia, Japoni, Norvegji etj. ndërsa si rol të plotë së pari në Shqipëri, së dyti në Ankara (bashkë me G. Çakon dhe Ro. Kovaçin) dhe së treti në Avinjon. Ajo e preferon këtë rol pasi dihet se është një nga majat e krijimtarisë vokale teknike emocionale e muzikale në tërësi; ajo është një nga ariet jo vetëm më të bukura, por edhe nga më të njohurat në publikun e përbotshëm. Njihen botërisht krijimet më të arrira të Violetës nga sopranoja e shquar Maria Callas, “me një lojë skenike violente dhe zë të shkëlqyer” siç shprehet për të Mula, ajo e sopranos spanjolle Vitoria De Los Angelos, të këngëtares italiane Renata Skoto dhe të sopranos me origjinë rumune Iljana Kotrubash. “Kur punova me rolin e Violetës ju referova pikërisht tri këngëtareve më të njohura për këtë rol, si Callas, Skoto dhe Kotrubash. Traviata e Verdit, e bazuar në romanin e Aleksandër Dymos (biri) “Zonja Me Kamelie”, është një opera dramatike e luajtur për herë të parë në Venecia më 1853, me ngjarje që i referohen po asaj periudhe, por që ndodhi në Paris dhe afërsi të tij. E ndërtuar me tri akte dhe katër tablo, ajo tregon një histori të dhimbshme dashurie që mbaron me vdekjen tragjike të Violetës në duart e të dashurit të saj Alfredo Germon. “Kjo opera e vënë në skenë nga Kristiana Isartel dhe e drejtuar nga F.X.Bilger e ka ruajtur frymën e krijuesit të saj, atë frymë klasike që jepet nga të gjithë komponentët, si muzika, dekoret, kostumet etj. Kam parë disa opera ku bëhen tentativa për një modernitet bashkëkohor si në “Madame Butterfly”, apo “Flauti magjik”, i Moxartit, por mua më pëlqen që të ruhet fryma e veprës dhe e krijuesve të vet. Megjithatë kjo nuk do të thotë që të mos kërkosh gjetje të reja mizanskenike për ta bërë sa më shprehëse dramën e personazheve, për t’i shpalosur më mirë ata dhe historinë e tyre. Kështu edhe në këtë mizanskenë ka mjaft gjetje të reja. Që në fillim të preludit ndryshe nga prezantimi i operave të tjera, perdja hapet nga vetë Violeta, e cila shpalos në një farë mënyrë tregimin e historisë së saj”.
Duke dëgjuar këtë opera, me heroinën Violeta-Mula, pushtohet nga emocionet dhe veçanërisht nga preludi i fillimit dhe po ashtu fundi tragjik i Violetës, të cilat janë vërtet ngjethëse. Padyshim, një ndërmarrje e tillë për Mulën nuk ka qenë e lehtë. Në këtë produksion të operës së Marsejës ajo do të punonte me një trupë që nuk e njihte më parë, me partnerë si Marko Laho, Alen Vernhes etj. “Megjithëse e kisha punuar më parë rolin, isha e shqetësuar se si do të integrohesha me trupën, partnerët, mizanskenën etj. Kur shkova në Avinjon, me një tren që mbërriti me vonesë, u nisa drejt dhe në operën e qytetit, në “Place de L’Horloge” ku kishim lënë të takoheshim për të biseduar për fillimin e punës. Por me të mbërritur në Teatër, pashë që të gjithë prisnin fillimin e provave dhe vetëm karrigia ime ishte bosh. Pasi i përshëndeta, menjëherë filloi muzika dhe të gjithë filluam të interpretonim rolet tona nga fillimi gjer në fund. Edhe pse ishte disi e papritur për mua, gradualisht mu larguan emocionet dhe menjëherë gjithçka rrodhi për mrekulli. Pas asaj dite ne punuam për ditë të tëra, në një ambient mjaft shoqëror, aq sa dhe kur shkuam një ditë në Ardech, të ftuar në shtëpinë e njërit prej këngëtarëve, secili nga ne prezantoi kuzhinën e vendit të tij, dhe kuzhina shqiptare që përgatita duke e hapur me fërgesë pati një sukses të veçantë. Që natën e parë shfaqja e Traviatës gjeti një pritje të jashtëzakonshme nga publike, edhe pse orkestra kishte vendosur më parë të bënte grevë, për të plotësuar disa nga kërkesat e tyre. “Një natë para provës së përgjithshme, kryetari i sindikatës erdhi dhe më takoi: ju e dini që kemi shpallur grevë, më tha, por është fatkeqësi që publiku të mos ta dëgjojë zërin tuaj të mrekullueshëm. Ne vendosëm mos ta bëjmë grevën, por do t’i rifillojmë shfaqjet me gjysmë ore vonesë. U preka shumë dhe u thashë se ju duhet ta vazhdoni grevën, se më shumë rëndësi kanë të drejtat tuaja. Por ata luajtën në skenë edhe pse në shfaqje e bënë publikun të priste gjysmë ore. “Shfaqja u dha dhe mirënjohja mes tyre ishte e dyanshme”, akoma më shumë nga ana e publikut. … “Inva Mula ishte zbulimi i kësaj shfaqje”- u shkrua të nesërmen në gazetën “La Dauphine Vaucluse”. Në rolin e Violeta Valery, shprehimisht ajo ishte sublime: “Ajo quhej Inva Mula, dhe është me origjinë shqiptare”, u shkrua po të nesërmen në “Le Meridional”. – Kjo këngëtare e re që ka zërin e një sopranoje lirike të mrekullueshme, ka gjithashtu ndjesinë e lindur të krijimit të nuancave zanore, çka i lejon të krijojë pa sforco intonacione nga më të bukurat. Ajo është njëkohësisht një aktore e madhe që nuk mungon t’i japë personazhit të saj një reliev të habitshëm vërtetësie”. Në gazetën “Marsellaise” shkruhet se “Mula e përshkon gjithë pjesën me një intensitet dramatik tronditës. Ajo ka në vetvete bukurinë dhe manjetizimin e Violetës ashtu siç e përjeton dhe dramën e saj. Ndërsa në “Le Contandin” shkruhet : “Në fakt sopranoja shqiptare, për pak kohë do t’i lërë prapa sopranot e afirmuara dhe shpesh të vlerësuara më shumë seç duhet”.
Nuk ishte hera e parë që ajo vinte në Avinjon. Së pari ajo erdhi në verën e vitit 1993 për të prezantuar rolin e Violetës, së dyti për festën e muzikës në Qershor të këtij viti me një recital në Kishën Montfaved, dhe së treti në operën e Avinjonit me Traviata. Që tani asaj i është propozuar nga kjo opera që do të interpretojë në Janar të 1996 rolin e Oskar në operan “Ballo me Maska” të Verdit. Gjithashtu në festivalin e muzikës operistike në Orange, pranë Avinjonit ajo do të interpretojë në operën “Somnambul” po të Verdit, në një teatër të vjetër antik të hapur, prej 10 mijë vendesh në dekorin e një muri antik. Këto ditë Inva Mula u nis për në Oslo, për një recital me orkestrën e RTV të Oslos ku do të këndojë arien e “Luacia e Lamemurit” (“Arja e cmendisë”), arie nga “Flauti Magjik”i Mozartit, pjesë nga “Manon” e Messenit etj. Në Janar të 1995 do të luajë në Teatrin e dëgjuar të Venecias, “La Fenice”, në “Oratorio” nga Hajden, dhe në Maj në operën e Marsejës me pjesën “L’Italiana in Algeria” të Rosinit, me këngëtarët e famshëm italianë Ruxhero Rajmondi dhe L.V.Terani, pjesë këto të reja në repertorin e saj, role që padyshim kërkojnë një punë dhe ekzigjencë të jashtëzakonshëm dhe në periudha të shkurtra kohe. Për një moment të duken të pabesueshme ndërmarrja e gjithë këtyre roleve të rinj, por me sa duket atë e tenton gjithnjë e panjohura, për të zbuluar personazhe të rinj të botës operistike dhe për t’ia prezantuar ato publikut. “Kuraja s’më ka munguar asnjëherë për të tentuar dhe role që fillimisht më duken tepër të vështirë, por me punë gjithçka bëhet pjesë e vetvetes”. I. Mula u largua nga Avinjoni për të riardhur sërish këtu pas një viti. Këmbët e publikut do të rrahin përsëri dyshemenë me një ritëm të gëzuar duke përshëndetur suksesin e një sopranoje që tashmë është e privilegjuara e tyre. E padyshim jehona e këtyre ritmeve vjen e gëzuar gjer në Shqipëri, aty ku nis udhën karriera e saj…
Luan Rama