Luçiano Boçi: 10 arsye pse Prrenjasi nuk duhet të bashkohet me Librazhdin

Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi ka kundërshtuar mundësinë e bashkimit të Bashkisë Prrenjas me Bashkinë Librazhd, duke paraqitur 10 argumente që, sipas tij, tregojnë se Prrenjasi duhet të vijojë të funksionojë si njësi administrative më vete. Sipas Boçit, Prrenjasi ka një numër të mjaftueshëm banorësh për të qenë bashki më vete. Boçi argumenton se një bashkim i tillë do të krijonte një territor më të madh dhe më të vështirë për t’u administruar, duke rritur distancën e qytetarëve nga shërbimet publike. Ai ngre shqetësimin se përqendrimi i shërbimeve në Librazhd do të sillte më shumë vështirësi për banorët e zonave të Prrenjasit, Qukësit, Rrajcës dhe Stravajt.

Postimi i plotë

1. Prrenjasi ka masë të mjaftueshme demografike për të qenë bashki më vete. Sipas Censit 2023, Bashkia Prrenjas ka 18,768 banorë, të organizuar në katër njësi administrative: Prrenjas, Qukës, Stravaj dhe Rrajcë. Kjo nuk është një bashki fantazmë me disa qindra banorë, por një territor me popullsi të krahasueshme me shumë bashki të tjera që vazhdojnë të ekzistojnë më vete. Librazhdi ka 23,312 banorë. Pra, bashkimi nuk do të ishte integrim i një njësie të papërfillshme, por shkrirja e një komuniteti të plotë në një tjetër.

Swiss Digital Desktop Reklama

2. Bashkimi do të krijonte një bashki tepër të shtrirë dhe të vështirë për t’u administruar. Prrenjasi dhe Librazhdi ndahen nga rreth 29 kilometra rrugë, ndërsa shumë fshatra të Rrajcës, Stravajt, Qukësit, Lunikut apo Stëblevës janë shumë më larg nga qendra e mundshme administrative. Një hartë mund t’i bashkojë me një vijë. Banori, ndërkohë, duhet ta bëjë rrugën realisht, jo me maus.

Swiss Digital Mobile Reklama

3. Qendra administrative do të largohej nga qytetarët e Prrenjasit. Shërbime që sot merren në Prrenjas do të përqendroheshin gradualisht në Librazhd: dokumentacioni, urbanistika, ndihma ekonomike, taksat vendore, lejet, administrimi i pyjeve dhe i tokës. Për banorët e zonave të thella, kjo do të thotë më shumë kohë, më shumë shpenzime dhe më pak akses.

4. Prrenjasi ka identitet të dallueshëm territorial dhe ekonomik. Prrenjasi lidhet natyrshëm me boshtin Qukës–Rrajcë–Qafë Thanë, Qafë Plloçë, me aktivitetet minerare, bujqësore, pyjore, turistike dhe me korridorin drejt Pogradecit e Maqedonisë së Veriut. Librazhdi ka një tjetër shtrirje funksionale, përgjatë luginës së Shkumbinit dhe drejt zonave të Çermenikës e Stëblevës. Dy territoret mund të bashkëpunojnë pa qenë të detyruara të humbasin individualitetin institucional.

5. Prrenjasi është një nyje strategjike kufitare dhe transporti. Pozicioni pranë Qafë Thanës i jep Prrenjasit një rol specifik në transport, tregti, turizëm dhe bashkëpunim ndërkufitar. Një territor me këtë profil ka nevojë për një administratë që përqendrohet pikërisht te këto mundësi, jo për një periferi administrative që konkurron për vëmendje me një hapësirë edhe më të madhe.

6. Bashkimi do të dobësonte përfaqësimin politik të zonës. Prrenjasi do të humbiste kryetarin e vet, këshillin e fokusuar te problemet e veta dhe një pjesë të peshës së tij në vendimmarrje. Në një këshill të përbashkët, nevojat e Qukësit, Rrajcës dhe Stravajt do të konkurronin me ato të shtatë njësive administrative të Librazhdit. Rezultati i zakonshëm dihet: qendra merr investimet, periferia merr premtimet.

7. Kursimi administrativ nuk është i provuar. Heqja e emrit “bashki” nuk i heq nevojat e territorit. Përsëri duhen zyra vendore, punonjës në terren, mirëmbajtje rrugësh, ujësjellës, pastrim, mbrojtje civile dhe shërbime sociale. Mund të hiqen disa poste drejtuese, por kostot reale të shërbimit mbeten. Madje mund të rriten për shkak të distancave dhe territorit më të madh.

8. Bashkimi nuk e zgjidh shpopullimin,përkundrazi. Shpopullimi luftohet me vende pune, rrugë, shkolla, shëndetësi, mbështetje për bujqësinë dhe investime. Nuk luftohet duke zhdukur institucionin vendor. Kur një zonë po humbet banorë, përgjigjja nuk mund të jetë t’i hiqet edhe qendra administrative. Kjo është si t’i mbyllësh ambulancën pacientit sepse është sëmurë.

9. Prrenjasi ka një rrjet urban dhe rural koherent. Katër njësitë e tij administrative formojnë një territor të lidhur rreth qytetit të Prrenjasit dhe aksit kombëtar. Rrajca Qukësi, njësia Prrenjas dhe Stravaj janë njësi që kanë një qendër të identifikueshme dhe një marrëdhënie funksionale mes tyre.

10. Reforma duhet të afrojë pushtetin, jo ta largojë. Parimi themelor i decentralizimit është subsidiariteti. Vendimet duhet të merren sa më pranë qytetarit. Bashkimi Prrenjas–Librazhd do të bënte të kundërtën. Do të zgjeronte territorin, do të largonte qendrën dhe do të zvogëlonte llogaridhënien. Pra Prrenjasi nuk duhet të bashkohet me Librazhdin sepse është një territor me popullsi, identitet, ekonomi, pozicion strategjik dhe nevoja të veçanta. Ai nuk ka nevojë të shkrihet, por të fuqizohet. Reforma territoriale nuk duhet të prodhojë bashki të mëdha në hartë dhe të paarritshme në jetën reale. Prrenjasi duhet të mbetet bashki më vete, me më shumë kompetenca, më shumë financim dhe më shumë shërbime për qytetarët e tij.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?