Lufta kundër HIV/AIDS, Rjepaj: MSH miratoi sot dy strategji të rëndësishme

Të gjithë ata persona të prekur me HIV/AIDS, të cilët shfaqin rezistencë ndaj barnave antiretrovirale që janë në vendin tonë, do të kenë mundësi të kurohen falas me barna specifike. Ky fakt u bë i ditur nga Zëvendësministri i Shëndetësisë, z. Klodian Rjepaj, në aktivitetin e zhvilluar në kuadër të 1 Dhjetorit, Ditës Botërore Kundër HIV dhe AIDS, ku i pranishëm ka qenë edhe Koordinatori i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara, z. Brian WIlliams.

Zëvendësministri bëri me dije se furnizimi me këto lloj barnash do të fillojë vitin e ardhshëm. “Si element risi është furnizimi më barna antiretroviralë, me barna për ato të sëmurë, të cilët shfaqin rezistencë ndaj barnave ekzistuese në Shqipëri. Mjekimi do të vazhdojë të ofrohen nga Ministria e Shëndetësisë, por për personat të cilët do të shfaqin rezistencë, atëherë Fondi Global (Global Fund) do të jetë në ndihmë të tyre për ti mjekuar. Po kështu, edhe testi i rezistencës, i cili do të ofrohet në këtë mënyrë”, nënvizoi Rjepaj.

Pavarësisht se vendi ynë hyn tek vendet me prevalencë të ulët ndaj këtij infeksioni, Ministria e  Shëndetësisë ka hartuar dy strategji të reja, të cilat synonjnë ndërgjegjësimin e popullatës për depistime dhe këshillime falas. “Sot, ministri i Shëndetësisë ka firmosur dy dokumente shumë të rëndësishëm, që janë dy strategji shumë të rëndësishme. Miratimi i “Dokumentit strategjik dhe planit të veprimit për shëndetin riprodhues 2017-2021”, dhe miratimi i “Planit të veprimit për sigurinë e kontraceptivëve 2017-2021”, u shpreh zëvendësministri.

“Këto dokumente janë një përqasje krejtësisht e re, që shkon përtej moshës riprodhuese, dhe besoj që ekepsrtiza që na ka ardhur nga organizatat e OKB-së në Shqipëri, por edhe nga ekspertë të tjerë, janë elementë shumë të rëndësishëm, të cilët do të integrojnë të gjitha përpjekjet që janë bërë deri më sot, qoftë nga Programi i HIV/AIDS-it dhe drejtoritë e Shëndetit Publik, por qoftë edhe nga shërbimet shëndetësore që janë të shtrira në mënyrë kapilare në terren. Ky dokument arrin ti rrokë të gjithë këta elementë, për ti dhënë një shtysë më të madhe, sensibilizimit të individëve, përqasjes për të marrë këshillim konfidencial, por edhe për të luftuar stigmën dhe diskriminimin”, pohoi më tej, zv/Ministri i Shëndetësisë.

Koordinatori i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara, z. Brian Williams, gjatë fjalës së tij, vuri theksin tek lufta që duhet bërë për të shkuar drejt shifrës zero të infeksioneve në vitin 2030. Sipas tij, vitin e kaluar të gjithë liderët botërorë janë zotuar të hartojnë, miratojnë dhe zbatojnë strategji, të cilat do të bëjnë të mundur kufizimin e shpërndarjes së këtij infeksioni. “Të gjithë liderët botërorë janë angazhuar për këtë objektiv në vitin 2015, kur u mblodhën në Nju Jork, duke përfshirë dhe Kryeministrin Rama për Shqipërinë. Edhe pse angazhimi është marrë në nivel global, progresi do të bëhet nëpërmjet veprimeve lokale, nëpërmjet qendrave shëndetësore, nëpërmjet veprimeve të Shoqërisë Civile në çdo vend. Në veçanti, dua të uroj Qeverinë Shqiptare për të gjitha përpjekjet e saj për të ndaluar përhapjen e HIV /AIDS-it në Shqipëri, dhe ne, gjithashtu, kemi vënë re përpjeket që janë bërë për parandalimin e HIV/AIDS në të gjitha dokumentet strategjike në lidhje me shëndetin.

Këtu përfshihet edhe Strategjia e re e Shëndetit Riprodhues që merr mbështetje nga shumë Agjenci të OKB-së, dhe udhëzimet e reja që nxisin testimet për HIV-in dhe parandalimin e këtij infeksioni tek gratë shtatzëna. Këtu duhet theksuar suksesi që është parë vitet e fundit në parandalimin e kalimit të infeksionit nga nëna tek fëmija. Një tjetër arritje është përfshirja e mesazheve të parandalimit të HIV/AIDS-it në kurrikulat shkollore në të gjithë vendin”, nënvizoi Koordinatori i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara, z. Brian Williams. Sipas tij, një pjesë e rëndësishme që duhet luftuar është stigma dhe diskriminimi, sidomos në Shqipëri kur flasim për një shoqëri që është shumë tolerante, siç është shoqëria shqiptare.

Të dhënat tregojnë se Shqipëria ngelet një vend me prevalencë të ulët të infeksionit. Janë gjithsej 984 raste të diagnostikuar në total dhe nga ky numër i të infektuarve 41 janë fëmijë. Përsa i përket shpërndarjes sipas gjinisë dominuese ngelet gjinia mashkullore, pasi është një fenomen më i përhapur por edhe më lehtësisht i zbulueshëm.

SHKARKO APP