Lufta kundër krimit, kreu i SPAK takim në Itali: “Nevojitet hetim i gjithë zinxhirit të grupeve”

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodjan Braho, mori pjesë në një takim ndërkombëtar të zhvilluar më 22–23 maj në Palermo të Italisë, me temë bashkëpunimin juridik ndërkombëtar dhe sfidat që lidhen me organizatat kriminale transnacionale. Aktiviteti u mbajt në Pallatin e Drejtësisë dhe iu kushtua kujtimit të gjyqtarëve Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, figura simbol të luftës kundër mafies.

Në këtë forum morën pjesë përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe prokurorive nga vende të ndryshme të Europës, Ballkanit Perëndimor dhe Amerikës Latine, duke ndarë përvoja mbi mënyrat e përballjes me krimin e organizuar që operon përtej kufijve shtetërorë dhe në forma gjithnjë e më të sofistikuara.

Gjatë fjalës së tij, Klodjan Braho theksoi se Prokuroria e Posaçme po përballet me struktura kriminale që përshtaten shpejt me zhvillimet teknologjike, financiare dhe logjistike, duke kërkuar një qasje më të avancuar hetimore. Ai nënvizoi nevojën për hetime që nuk kufizohen vetëm te veprat individuale, por që synojnë të zbulojnë gjithë zinxhirin e aktivitetit kriminal.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas tij, është e rëndësishme të hetohen të gjitha hallkat, duke filluar nga burimi i aktivitetit kriminal, organizimi i rrjeteve, lidhjet ndërkombëtare, deri te mekanizmat e pastrimit të parave dhe destinacionet përfundimtare të përfitimeve të paligjshme. Kjo qasje kërkon hetime financiare të thelluara, shkëmbim të shpejtë informacioni dhe bashkëpunim të ngushtë mes agjencive ligjzbatuese ndërkombëtare.

Swiss Digital Mobile Reklama

Gjithashtu, u theksua rëndësia e trajtimit korrekt të fenomenit të krimit të organizuar në opinionin publik, duke shmangur përgjithësimet mbi baza kombësie apo përkatësie tjetër. Lufta kundër krimit, sipas tij, duhet të fokusohet tek individët dhe rrjetet konkrete kriminale, duke u mbështetur vetëm në prova dhe analiza profesionale.

Në përfundim, Prokuroria e Posaçme u paraqit si një partner aktiv dhe i besueshëm në bashkëpunimin ndërkombëtar për goditjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se Shqipëria pranohet në BE deri në vitin 2030?