Lufta kundër terrorizmit, ministri Tahiri në takimin e kryesuar nga Obama

Me ftesë të presidentit të SHBA-së, Barack Obama, Shqipëria dhe Kosova do të përfaqësohen në një takim për luftën kundër terrorizmit në Uashigton nga ministrat e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe Skënder Hyseni. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama do të kryesojë këto ditë takimin e nivelit të lartë me drejtues të forcave të rendit, udhëheqës fetarë dhe zyrtarë të tjerë për të diskutuar mënyrat për të luftuar ekstremizmin.  Pjesë e kësaj nisme do të jetë edhe një takim në Departamentin e Shtetit ditën e enjte me ministra rendi të vendeve të tjera, në kuadër të bashkëpunimit në luftën  kundër ekstremizmit.  Takimi në Shtëpinë e Bardhë, në Luftë kundër Ekstremizmit të Dhunshëm do të shqyrtojë përpjekjet në vend dhe në shkallë ndërkombëtare për t’i prerë rrugën radikalizmit dhe rekrutimit të të rinjve nga Amerika dhe vende të tjera për misione ekstremiste.  Sipas Zërit të Amerikës, synimi është të goditen rrënjët e ekstremizmit dhe të identifikohen mënyrat për të mos lejuar të rinjtë të bashkohen me grupe ekstremiste si Shteti Islamik. Në deklaratat e fundit kundër ekstremizmit, presidenti nuk ka përmendur fenë islame, por është ndalur tek mungesa e tolerancës fetare si shkaktare e problemit. -“Një ndër kundërpërgjigjet më të mira ndaj ideologjive të urrejtjes që përpiqen për të rekrutuar dhe radikalizuar të tjerët, është vetë shembulli ynë si shoqëri të larmishme dhe tolerante që mirëpresim kontributin e çdokujt, nga çdo fe”, thotë Presidenti amerikan Barack Obama. Në disa raste, ky vizion duket se është më në rrezik në lagjet amerikane të përfshira nga dhuna e bandave kriminale. Kjo video e vënë në YouTube dhe më pas e shpërndarë nga FBI-ja ku shihet një anëtar i ISIS i cili flet me aksentin amerikan, është dëshmi e shqetësimit në rritje të zyrtarëve amerikanë sesi të rinjtë mund të ndikohen nga përpjekjet e ekstremistëve për rekrutim. Lufta kundër bandave kriminale nga forcat e rendit si Departamenti i Policisë në Los Anxhelos, po ofrojnë modelin e punës për të ndalur radikalizimin e të rinjve amerikanë. Zyrtarë të forcave të rendit nga Los Anxhelos dhe qytete të tjera do të marrin pjesë në diskutim, i parë i këtij lloji dhe që të hapë një kapitull të ri diskutimesh në luftë ndaj terrorizmit.

SHKARKO APP