Mafia e tokave, burg për ish-kreun e Hipotekës në Shkodër
Me kërkesë të Prokurorisë së Shkodrës, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-drejtuesin dhe dy zyrtarë të Hipotekës, një notere dhe tre persona të tjerë, të gjithë të dyshuar se në bashkëpunim kanë falsifikuar dokumente pronësorë të rreth 15 mijë metra katrorë tokë, në zonën e Velipojës.
Prokuroria e Shkodrës, në vijim të hetimeve, në bazë të të cilave rreth 2 javë më parë u sekuestrua sipërfaqja e tokës 15 mijë metra katrorë tokë, ka krijuar dyshime të arsyeshme se disa persona, në bashkëpunim ndërmjet tyre, kanë krijuar mundësinë për të falsifikuar dokumentat dhe për ta regjistruar atë pronë të fituar në mënyrë të kundërligjshme.
Deri në këtë fazë të hetimeve, Prokuroria e Shkodrës ka krijuar dyshime të arsyeshme se personat e mëposhtëm janë përgjegjës për kryerjen e veprimeve të paligjshme dhe për këtë arsye, ka marrë lejen nga gjykata për arrestimin e:
Të dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”
Ilir Nikleka, ish-kryeregjistrues i Hipotekës Shkodër (shpallur në kërkim)
Besar Kali, jurist pranë ZVRPP Shkodër,
Spartak Haxhiaj, hartograf pranë ZVRPP Shkodër, i proceduar edhe më parë për të njëjtën vepër penale,
Valbona Hajdari, notere, Shkodër
Të dyshuar për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”
Rrok Lushi, përfitues i sipërfaqes 15.000 m2, të sekuestruar tashmë
Adem Mlloja, i dyshuar si falsifikatorë të dokumentit pronësor
Ylber Mlloja, i dyshuar si falsifikatorë të dokumentit pronësor
Vendimet e gjykatës janë ekzekutuar gjatë ditës së Mërkurë nga ana e forcave të Policisë Vendore të Shkodrës. Vetëm i dyshuari Ilir Nikleka nuk është bërë i mundur të arrestohet dhe tashmë është shpallur në kërkim.
KOHA JONË SONDAZH

