Mafia shqiptare te operacioni “Sky ECC”, një e treta e mesazheve ishin në gjuhen shqipe
Operacioni Sky ECC, pesë vjet pas nisjes së tij, nuk është thjesht një histori suksesi policor për Belgjikën. Ai është një radiografi e qartë e transformimit të krimit të organizuar në Europë – dhe në këtë hartë të re, grupet kriminale shqiptare shfaqen si aktorë me peshë.
Fakti që një e treta e mesazheve të koduara ishin në gjuhën shqipe nuk është vetëm një statistikë gjuhësore. Është një tregues i përmasës, i shtrirjes dhe i nivelit të organizimit. Kur 578 të dyshuar komunikojnë në shqip në një platformë të sofistikuar të krimit të organizuar, kjo do të thotë se kemi të bëjmë me struktura të konsoliduara, me zinxhir komandimi, logjistikë ndërkombëtare dhe kapital të konsiderueshëm.
Hetimi zbuloi një tjetër element kyç: kontrollin e dërgesave nga distanca, përmes pajisjeve në Emiratet e Bashkuara Arabe, Turqi apo vende të tjera jashtë BE-së. Kjo tregon një evolucion të qartë – nga bandat e dhunshme lokale, tek organizata transnacionale që operojnë si korporata kriminale, me ndarje rolesh, menaxhim risku dhe investim në teknologji të koduar.
Kjo forcë financiare nuk mbetet jashtë Shqipërisë. Përkundrazi. Modelet klasike të krimit të organizuar tregojnë se kapitali i paligjshëm kërkon stabilizim përmes investimit në ekonomi formale. Pasuritë e paluajtshme, ndërtimi, turizmi, tregtia dhe bizneset me qarkullim të lartë cash janë sektorë tipikë për riciklimin e parave të drogës. Kur autoritetet belge theksojnë bashkëpunimin me Shqipërinë dhe faktin që të dhënat kanë ndihmuar në zbardhjen e vrasjeve në vend, kjo nënkupton se rrjetet nuk operojnë vetëm jashtë – por kanë degë, interesa dhe ndikim edhe brenda territorit shqiptar.
Rreziku nuk është vetëm penal. Është ekonomik dhe institucional. Kur kapitali kriminal depërton në treg, ai deformon konkurrencën, rrit çmimet artificialisht, blen influencë dhe minon shtetin e së drejtës. Nëse një pjesë e konsiderueshme e fitimeve nga trafiku ndërkombëtar po riinvestohet në Shqipëri, atëherë sfida nuk është vetëm e policisë, por e sistemit financiar, e politikës fiskale, e drejtësisë dhe e kontrollit të pasurive.
Sky ECC tregon se mafia shqiptare nuk është më një periferi e tregut europian të drogës, por një hallkë e rëndësishme e zinxhirit global. Ajo ka kapacitet financiar, rrjet ndërkombëtar dhe fleksibilitet operacional. Pyetja që shtrohet sot nuk është nëse është bërë më e fortë – faktet tregojnë se po – por nëse shteti shqiptar ka ndërtuar mekanizma proporcionalë për ta përballuar një fuqi që nuk matet më me armë, por me miliarda.
SOAK po bën një punë të jashtëzakonshme, por ka prapë punë se fijet e mafies shkojnë në pushtet, në media e natyrisht te një pjesë oligarkësh që kanë mburojë politike.
KOHA JONË SONDAZH

