Magjistratët padisin në gjykatë Arta Markun, KLD-në dhe Qeverinë
Gjykata Administrative pritet të marrë në shqyrtim padinë e 16 magjistratëve që prej muajit korrik janë në pritje të emërimeve. Ata e cilësojnë jo të drejtë mosemërimin e tyre në detyrë, ndërkohë që kjo zvarritje ka ardhur si pasojë e mosformimit të organeve të reja të drejtësisë.
Vonesa në ngritjen e institucioneve te reja të drejtësisë si Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Gjykatës, po penalizon edhe magjistratët e rinj, të cilët duhet të ishin emëruar në detyrë që në muajin korrik.
Janë këto dy organe që me Kushtetutën e re, kanë kompetencë emërimi, por mosngritja e tyre ka bërë që magjistratët të mbeten ende në pritje, ndonëse me shkarkimet nga vettingu shumë vende kanë mbetur bosh në sistemin e prokurorisë dhe gjykatave.
Por 16 të diplomuarit në Shkollën e Magjistraturës, 8 në profilin gjyqtarë dhe 8 prokurorë, nuk kane qëndruar në heshtje.
Ata i janë drejtuar Gjykatës Administrative të Apelit, me një padi për kryeprokuroren Arta Marku, Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Këshillin e Ministrave për mosemërimin e tyre në detyrë.
Padia civile është depozituar më 26 shtator 2018 në Gjykatën Administrative të Apelit, aty ku do të shqyrtohet nga gjyqtarja Elvana Cicolli.
Pak kohë më parë ishte KLD dhe kryeprokurorja Marku që sqaruan arsyet e mosdekretimit me faktin se ligji i ri s’jua njeh këto kompetenca, të cilat i kanë kaluar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Në të njëjtin ngërç është edhe Shkolla e Magjistraturës, e cila këtë vit nuk arriti të zhvillonte konkursin për pranimin e magjistratëve për vitin e parë dhe aktualisht u krijua vetëm një klasë me 9 kandidatë për gjyqtarë dhe prokurorë.
/Ora News
KOHA JONË SONDAZH

