Majko i drejtohet Alibeajt: Uroj që Bashën ta lejojnë të hyjë në SHBA dhe 500 mijë dollarët të mos jenë infiltrim rus!
Sot në parlament pati debate të shumta, por një polemikë pati vëmendje të veçantë. Mes ish-kryeministrit Majko dhe ish-ministrit Alibeaj kishte replika me shpoti.
Raporti i inteligjencës amerikane për dhënien nga Moska të 500 mijë dollarëve për PD-në në 2017 u bë temë debati dhe replike në Kuvend mes deputetit socialist Pandeli Majko dhe deputetit Enkelejd Alibeaj.
Enkelejd Alibeaj iu drejtua “si i vjetër që ke qenë dhe je në politikë prit dhe ca orë dhe do të përgënjeshtrohesh. Është mirë që pas ca orësh të shkosh tek dentisti”.
Deputeti Pandeli Majko reagoi shpejt: “Unë respektoj shumë këta tipat që kanë mjekër të bardhë e flokë të zezë. Dua që të përgënjeshtrohet dhe gjysmë millioni dollarë nuk janë marrë nga PD, por po e përsëris. Ajo që keni diskutuar ju dhe midis vetit dhe pranë sistemit të drejtësisë është një akuzë që dje është ripërsëritur. Unë uroj që zoti Basha të shkojë normalisht në SHBA dhe partia që u krijua nga studentët të mos jetë në akuzë për infiltrim të politikës ruse”- tha Majko.
Dje ishte “Zëri i Amerikës” që e rihapi dosjen e Bashës për akuzat e financimit me 500 mijë dollarë me burime ruse.
Lulzim Basha e ka përgënjështruar ndërsa PD-ja e Berishës kërkon rihetimin e kësaj dosje korruptive dhe me financime ruse.