
Një aksident tragjik është regjistruar në zonën e “Urës së Bahçallëkut”, në Shkodër, ku një 67-vjeçare ka humbur jetën pasi është përplasur nga një automjet teksa ecte në trotuar.
Sipas të dhënave paraprake, makina që drejtohej nga një 27-vjeçare me inicialet B. P. ka dalë nga rruga, pasi drejtuesja dyshohet se ka humbur kontrollin mbi mjetin. Automjeti është përplasur më pas me shkallët metalike të një ndërtese, duke goditur edhe këmbësoren E. B., 67 vjeçe, e cila ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, ndërsa grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.