Makina e gazetarit në Bulqizë digjet në mesnatë, dyshime për zjarrvënie të qëllimshme dhe intimidim

Një ngjarje e rëndë është shënuar në orët e para të mëngjesit në lagjen e Re të Bulqizës, ku automjeti i gazetarit Sami Curri është përfshirë nga flakët rreth orës 02:45. Mjeti ndodhej i parkuar pranë pallatit ku banon gazetari.

Sipas dyshimeve të para, zjarrvënia mund të ketë qenë e qëllimshme dhe e lidhur me detyrën e tij si gazetar. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet zjarrfikëse, por pavarësisht ndërhyrjes së tyre, automjeti është djegur plotësisht. Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar autorët e mundshëm.

Vetë gazetari Sami Curri e ka cilësuar incidentin si një akt të paramenduar, me qëllim për ta intimiduar dhe për të penguar punën e tij profesionale. Ai u shpreh se kjo ngjarje është një mesazh i drejtpërdrejtë ndaj tij dhe aktivitetit që ushtron prej vitesh në terren.

Swiss Digital Desktop Reklama

Curri deklaroi se pavarësisht këtij sulmi, ai nuk ndihet i trembur dhe as i kërcënuar, duke theksuar se nuk do të ndalet nga ushtrimi i profesionit të gazetarit. Sipas tij, gazetaria është një mision në shërbim të interesit publik dhe ai do të vijojë ta bëjë këtë punë me përkushtim.

Swiss Digital Mobile Reklama

Gazetari tregoi se prej rreth dhjetë vitesh ushtron profesionin, kryesisht në qarkun e Dibrës, ku është angazhuar në raportimin e çështjeve që lidhen me problemet e qytetarëve, monitorimin e institucioneve vendore dhe ndjekjen e çështjeve të drejtësisë.

Ai shtoi se prej disa javësh ka qenë në kontakt me persona që mund të jenë prekur nga temat që ka trajtuar në punën e përditshme, ndaj dyshon se sulmi mund të lidhet pikërisht me aktivitetin e tij profesional.

Megjithatë, Curri ritheksoi se nuk do të tërhiqet përballë presioneve apo tentativave për frikësim. Për të, sulme të tilla vetëm sa forcojnë bindjen se gazetaria mbetet një detyrë e rëndësishme në mbrojtje të interesit publik

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?