Malaj: Model i ri kontrate për paketat e udhëtimit

Lëvizja e grupeve turistike si brenda dhe jashtë vendit jo rrallë herë është shoqëruar me problematika të ndryshme.

Për të përmirësuar shërbimet ndaj turistëve, por edhe për të “rregulluar” në një farë mase tregun e agjencive turistike, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, në bashkëpunim me GIZ, kanë hartuar nje model kontrate për paketat e udhëtimit.

Presidenti i Unionit të Operatorëve Turistike Shqiptar, Sadik Malaj, theksoi në një prononcim për ATSH-në se në këtë kontratë, e cila mund të jetë kolektive, ose individuale, janë parashikuar të gjitha kushtet, kriteret, por dhe detyrimet që duhet të plotësojë një operator turistik për klientët-turistë. Malaj theksoi se në rast se nuk zbatohen kushtet e kësaj kontrate nga operatorët turistikë ato mund të penalizohen në masa të ndryshme, deri në heqjen e ushtrimit të këtij aktiviteti.

Ndërkohë, në vendin tonë nuk ka statistika të sakta se sa është numri i agjencive turistike, pasi mungesa e ligjit për Turizmin, ka sjellë që në vend të mos ketë një strukturë licencimi, por mjaftohen me regjistrimin në QKR.

SHKARKO APP