Malaj-qeverisë: Prioritet arsimi dhe shëndetësia
Ish-ministri i Financave Arben Malaj, kërkon një përzgjedhje më të kujdesshme të investimeve publike, që do realizohen nëpërmjet paketës 1 miliard. Në një analizë të publikuar te “Monitor”, Malaj kërkon një zhvendosje të këtyre parave nga ndërtimi i rrugëve, te sektorë të tjerë prioritare për të bërë të mundur uljen e varfërisë në shumë zona të Shqipërisë.
“Problemi që ka vendi ynë është që popullsia e tij po reduktohet në nivel të konsiderueshëm, ndërsa investimet tona publike për rrugët po konsiderohen prioritare. Një argument për këtë fokus mund të jetë për flukset e ardhshme turistike, por turizmi është një industri komplekse, e cila nuk kushtëzohet vetëm nga infrastruktura fizike. Argumenti është rasti i Greqisë, e cila e modernizoi një pjesë të rëndësishme të infrastrukturës së saj me fondet e buta të BE-së, por kjo nuk i mjaftoi, sepse ekonomia greke kishte probleme të rënda strukturore. Në këtë aspekt duhen analizuar edhe largimet e konsiderueshme nga vendi ynë, fluks të cilin nuk mund ta ndalim duke i penalizuar por duke e bërë më të mirë mundësinë e tyre për të jetuar në vendin tonë, marrim prioritet investimet në arsimim, duke filluar nga ai parashkollor dhe investimet për shëndetësinë në çdo zonë të vendit, investimet për dritat në çdo kohë dhe me cilësi, furnizimin me ujë kudo, me cilësi dhe kohë të gjatë, investimet për ujërat e zeza dhe mbetjet, investimet për infrastrukturën rurale, shumë e rëndësishme për të nxitur zhvillimin dhe për të luftuar varfërinë në këto zona”, shprehet Malaj.
Malaj shton edhe se: ”Nëpërmjet politikave dhe investimeve respektive, duhen ofruar, përmirësuar dhe garantuar shërbimet dhe funksionet publike imediate në çdo pjesë të vendit, duke filluar me ato investime ku efekti zinxhir është më i shpejtë dhe në një komunitet përfitues më të madh. Përzgjedhja e kujdesshme e investimeve publike, pavarësisht nga format e nënkontraktimit të tyre është një përgjegjësi e madhe për efektshmërinë e politikave ekonomike dhe përdorimin me përgjegjshmëri, profesionalizëm dhe efikasitet të lartë të burimeve tona financuese, të cilat janë kryesisht nga taksat”.
Ish-ministri i Financave flet për përvojat jo pozitive të shteteve të tjera, ku mungesa e ekspertizës së nevojshme profesionale në përzgjedhjen e investimeve, vështirësojnë stabilitetin e financave publike.
”Shqetësimi ynë si studiues të ekonomisë bazohet edhe në përvojat jopozitive të vendeve të tjera, ku mungesa e ekspertizës së nevojshme profesionale në përzgjedhjen, negocimin dhe monitorimin e tyre krijon risqe potenciale për cilësinë teknike dhe për kostot e panjohura që mund të rrisin koston e projektit, rëndojnë taksapaguesit dhe vështirësojnë stabilitetin e financave publike. Në rast të kundërt, përfitimet teorike të rritjes me çdo kusht të investimeve infrastrukturore nuk do të ndihen në realitetin tonë ekonomik dhe risku për një situatë të vështirë të qëndrueshmërisë së financave publike, mund të jetë i lartë. Rrezikohemi të provohet shqetësimi se rritja me borxhe është joproduktive, duke kaluar në situatë të vështirë ekonomike dhe sociale”, deklaron Malaj.
KOHA JONË SONDAZH

