Malësia e Madhe zgjidh problemin e ujit, Rama: Votoni kandidatët tanë

 

Brenda muajit qershor mbi 20 mijë banorë do të mund të furnizohen normalisht me ujë të pijshëm nga rezervuari 4000 m/kub në Gruemirë.

Punimet e tij po shkojnë drejt fundit dhe kanë qenë kryeministri, Edi Rama, dhe Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, që panë nga afër fazën e fundit të këtij projekti.

Duke e vlerësuar si një investim të rëndësishëm që 8-fishon furnizimin me ujë për zonën, kryeministri Rama theksoi se bashkë më vënien në punë edhe të impiantit të ujrave të zeza, kjo pikë turistike zgjidh përfundimisht edhe furnizimin me ujë të pijshëm, që ka qënë një problem i hershëm.

Edi Rama: “Unë jam në dijeni të gjithë historikut për shkak të informacionit të vazhdueshëm të marrë nga Paulini dhe insistimit të tij që më në fund pas 40 vjetësh pa asnjë investim në këtë rrënojë që praktikisht i ka penguar 1/3 e banorëve të Malësisë së Madhe të kenë ujë të pijshëm të mund të ndërhynim.

Ne kemi ndërhyrë duke bërë që sot situata të jetë komplet e përmbysur. Ne ja dalim sot që jo vetëm të çojmë ujë në shtëpitë e gjithë banorëve të kësaj zone që deri dje vuante për ujë, por ia dalim që edhe të themi pa merak se në sezonin turistik që nis, Velipoja që kurrë se ka menduar që do të vinte kjo ditë të ketë furnizim të plotë me ujë të pijshëm. Këto janë hapat e duhur, në drejtimin e duhur.

Për këtë arsye besoj që është me fort rëndësi që të forcojmë marrëdhëmien qeveri-pushtetvendor, pasi Bashkitë e mëdha janë realisht realitete terësisht ndryshe dhe kanë nevojë shumë më tepër se deri dje për këtë marrëdhënie.

Dhe ndërkohë të ecim përpara me projekte që na çojnë në drejtimin e duhur dhe që njerëzit e Malësisë Madhe, Shkodrës, këtij qarku duhet të na japin një ndihmë duke vendosur në krye të këtyre punëve kandidatët tanë.

Njerëzit që i kemi zgjedhur jo për të bërë politikë, por për të menaxhuar një sfidë kolosale si kjo e e jetësimit të reformës administrative-territoriale, ku shërbimi me ujë është një pjesë shumë e rëndësishme, strategjike që ka munguar për kaq shumë vite”.

Investimi në fjalë kap vlerën e 67 milion lekëve të reja dhe është financim i buxhetit të shtetit.

Rama dhe Haxhinasto premtuan se në Bashkinë e re të Malësisë së Madhe janë parashikuar edhe të tjera investime që lidhen me infrastrukturën rrugore si dhe investime ne rrjetet e ujësjellës-kanalizime, ku prej 23 vitesh nuk është vënë dorë.

SHKARKO APP