Manastirliu: 14 shërbime të reja në 14 bashki, ja kush përfiton

14 shërbime të reja do të ofrohen në 14 bashki të vendit për gratë e dhunuara, të moshuarit e vetmuar dhe fëmijët me aftësi ndryshe. Financimi i 1 mln dollarëve nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale parashikon mbështetje për 3 mijë e 500 personave. Gratë e dhunuara, të moshuarit e vetmuar, fëmijët me aftësi ndryshe si dhe kategoritë e tjera në nevojë do të kenë mundësi të përfitojnë më shumë shërbime pranë vendbanimeve.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bëri të ditur se do të ofrohen 14 shërbime të reja në 14 bashki të vendit që do të mbështesin afro 3 mijë e 500 njerëz. Kryetarët e Bashkive në takim me Manastirliun thanë se programet e mbrojtjes sociale mbeten prioritet i qeverisjes së tyre. Fondi prej 1 mln dollarësh parashikon ngritjen e Qendrave Multifunksionale për Zhvillimin e Fëmijëve dhe Fuqizimin e Familjeve në Kurbin, Sarandë dhe Vlorë.

Financimin e Shërbimeve Lëvizëse në Familje, për Fëmijët në Nevojë dhe me Aftësi të Kufizuar në Peshkopi, Elbasan, Librazhd dhe Lezhë. Në Lushnje do të financohet hapja e Qendrës Ditore për Fëmijët me Aftësi të Kufizuar. Rrjetit të ofrimit të shërbimeve për të moshuar i shtohen edhe 2 qendra te reja ditore në Përrenjas dhe Roskovec.

SHKARKO APP