Manastirliu: Do të fillojë vaksinimi kundër gripit
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, teksa ishte e pranishëm në një nga godinat ku janë strehuar banorët e mbetur pa strehë në Durrës, është shprehur se në këto qendra do të fillojë vaksinimi kundër gripit. “Rreth 400 persona pa shtëpi janë akomoduar në këtë Resort. Kemi numrat falas për do emergjencë. Kemi vendosur që vaksinimin e gripit ta shtrimë edhe në qendrat e këtyre familjeve. Do vijë qendra shëndetësore në këto pika”.
Manastirliu u shpreh se në të gjitha pikat e emergjencës ka mjekë dhe infermierë që ofrojnë shërbim shëndetësor dhe për çdo rast ambulancat e urgjencës kombëtare janë në gadishmëri ku qytetarët mund të telefonojnë në numrin 127.
Rreth 1500 vizita mjekësore të kryera për banorët e prekur nga tërmeti në qendrat shëndetësore 24/7 të hapura pranë zonave të prekura. Mbi 700 persona kanë marrë shërbimin mjekësor pranë kampit të emergjencës në Thumanë dhe pikave të ngritur në Durrës. Me ekipet e ngritura në terren është siguruar pajisja me medikamente për të sëmurët kronikë. Të gjitha spitalet dhe qendrat shëndetësore pranë zonave të prekura nga tërmeti vijojnë të jenë në gatishmëri të përforcuar.