Manastirliu: Grupmosha mbi 55 vjeç, më e prekur nga delta

Numri i rasteve me koronavirus po rritet dita-ditës. Ministrja Ogerta Manastirliu është shprehur se incidenca është dyfishuar dhe grupmosha më e prekur nga varianti Delta është ajo mbi 55 vjeç. Ministria bëri apel që qytetarët mbi 18 vjeç të shfrytëzojnë ditët e hapura të vaksinimit.

Grupmosha mbi 55 vjeç është më e prekura nga varianti Delta. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, njoftoi hapjen e katër qendrave të tjera të vaksinimit në Tiranë, duke apeluar që qytetarët të mos hezitojnë: “Ajo çfarë vërehet në këto javë, është rritja e qarkullimit në grupmoshat mbi 55 vjeç, që janë ato që janë më të prekura. Por, sigurisht ka edhe grupmosha të më të rinjve”.

Rastet e reja janë dyfishar çka tregon se varianti Delta është dominant në Shqipëri: “Kemi një rritje me dy herë të incidencës dyjavore të rasteve të infektuara. Dhe gjithashtu kemi një rritje të numrit të pacientëve të shtruar në Spitalin Infektiv. Gjë që tregon një rritje të transmetueshmërisë dhe qarkullimit të variantit Delta”.

Në radhët e tyre që kanë hezituar të vaksinohen janë edhe mjekë e mësues. Shefja e departamentit të epidemiologjisë pranë ISHP-së, Silva Bino ka një kërkesë specifike: “Mësuesit kanë një detyrim moral të vaksinohen. Nuk vaksinohen vetëm për veten, por kanë edhe një detyrim moral me fillimin e shkollës. Ashtu siç e kanë edhe mjekët, personeli shëndetësor”.

Nga radhët e tyre që hezitojnë për t’u vaksinuar janë edhe ata që janë imunizuar në mënyrë natyrale. Sipas Binos, kjo kategori vijon të jetë e rrezikuar nga virusi: “Ka shumë njerëz që thonë se e kanë kaluar COVID, se kanë mbrojtje, nuk kanë pse të vaksinohen. Është shumë e gabuar. Ato duhet të vaksinohen”.

Tashmë edhe në katër poliklinika të tjera të kryeqytetit ofrohet vaksninimi për qytetarët mbi 18 vjeç.

SHKARKO APP