Manastirliu inspekton punimet në maternitetin e ri të Lezhës: Po ndërtojmë 4 maternitete

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu këtë të premte ka inspektuar punimet për ndërtimin e maternitetit të ri në Lezhë, i cili pritet të përfundojë brenda pranverës.

”Jo vetëm që ka qenë një vit i vështirë ky i pandemisë, por ne nuk e kemi ndalur punën në asnjë moment në kantierin gjigant të shëndetësisë. Qoftë për maternitetin e Lezhës, që e shohim se si kanë ecur punimet dhe do të përfundojmë edhe përpara afatit. Qoftë për maternitetin e Beratit, për maternitetin e Kukësit dhe gjithashtu edhe për maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” ku tashmë punimet kanë filluar”, tha Manastirliu.

Nga ana tjetër, ministrja theksoi se krahas investimeve në infrastrukturë në shërbim të fëmijëve të sapolindur është edhe ndihma financiare e ofruar nga qeveria, me bonusin e bebes, prej të cilit kanë përfituar mbi 72 mijë familje në dy vite. ”Me bonusin e bebes për çdo fëmijë të porsalindur, kemi mbështetur më shumë se 72 mijë familje nëpërmjet këtij programi që vendos në një start të barabartë të gjithë fëmijët dhe mbështet familjet e reja”.

Duke i konsideruar spitalet rajonale pole të specializuara në ofrimin e shërbimeve shëndetësore, Manastirliu tha se me rifillimin e specializimeve janë plotësuar shërbimet e munguara. Përveç maternitetit të ri të Lezhës, aktualisht Ministria e Shëndetësisë po investon në ndërtimin e maternitetit të Beratit, Kukësit dhe ka nisur puna për rikonstruksionin dhe zgjerimin e maternitetit ‘Mbretëresha Geraldinë’ në Tiranë.

SHKARKO APP