Manastirliu: Mbërrijnë mbi 11 mijë vaksina Pfizer, objektivi i ri është 1 milion vaksinime
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ndjekur nga afër vaksinimin masiv në sheshin Skënderbej, ku tha se ritmi i vaksinimit nuk do të ndalet, ndërkohë që ka bërë me dije kalendarin e mbërritjes së vaksinave në vend.
”Janë mbi 736 mijë doza vaksine tashmë të mbërritura në vend. Presim përgjatë kësaj jave 11,700 doza vaksine, të cilat vijnë nga kontrata që ne kemi me Pfizer si dhe një pjesë e tyre, nga kontrata që kemi lidhur me Bashkimin Europian, si pjesë e instrumentit që Bashkimi Europian ka ndërtuar për mbështetjen për vendet e Ballkanit”, tha Manastirliu.
Ministrja theksoi se Shqipëria arriti kryerjen e 500 mijë vaksinimeve para afatit të vendosur, ndërkohë që bëri me dije objektivin e ri. ”Janë mbi 500 mijë vaksinime të kryera rreth 29 ditë përpara afatit që ne kishim premtuar, pikërisht objektivin tonë për kryerjen e 500 mijë vaksinimeve. Tashmë jemi drejt 1 milion vaksinimeve. Shqipëria është ndër vendet që ka një ritëm të lartë të vaksnimeve. Kjo për arsye të ecjes me shpejtësi, të lidhjes së kontratave dhe gjithashtu edhe lëvrimit të dozave të vaksinave në një kohë shumë të shpejtë”, tha Manastirliu.
Ajo ka edhe një apel për qytetarët, për të vijuar të respektojnë masat e vendosura, paçka situatës së kontrolluar epidemiologjike. ”Një thirrje të gjithë qytetarëve për të mos neglizhuar respektimin e masave, masat e distancës, higjienës dhe vendosjes së maskës kudo në ambiente e hapura dhe të mbyllura, janë masa të detyrueshme për të gjithë qytetarët”, apeloi Manastirliu.