Manastirliu: Nis vaksinimi i dializantëve dhe grupeve më të rrezikuara

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, bën me dije se ka nisur vaksinimi i dializantëve dhe të personave që kanë kryer transplante. Sipas saj, vaksinimi do të kryhet pranë qendrave të dializës në të gjithë vendin.

”Sot kemi filluar vaksinimin e dializantëve, janë më shumë se 1200 të cilët do të vaksinohen në të gjithë vendin. Kemi vendosur që vaksinimin e dializantëve, edhe për të ndjekur kushtet e sigurisë, edhe për të mundësuar vaksinimin e shpejtë të tyre, ta kryejmë pranë qendrave të dializës, qoftë në sistemin publik, qoftë në sistemin jo publik. Fillojmë edhe vaksinimin e personave që kanë kryer transplant dhe sigurisht vaksinimi do të kryhet me përparësi për të gjithë ata individë, të cilët kanë sëmundje kronike të riakutizuara, sipas rekomandimeve mjekësore”, tha Manastirliu.

Nga ana tjetër, Manastirliu bëri me dije se deri tani janë vaksinuar mbi 190 mijë të moshuar. Duke ecur me këto ritme të shpejta të vaksinimit, Manastirliu nënvizoi se brenda muajit maj do të realizohet plani ambicioz për 500 mijë vaksinime në rang kombëtar. Në Shqipëri kanë mbërritur 396,560 doza vaksinash, ndërsa qeveria shqiptare ka siguruar deri tani përmes kontratave të ndryshme, mbi 2.1 milionë doza vaksine.

”Ritmi i vaksinimit do të vijojë të jetë i shpejtë, sikurse ka qenë deri më sot, pasi vaksina të tjera do të mbërrijnë në kuadër të kalendarit tonë të vaksinimit, me kontratat e lidhura aktualisht. Dhe ne duam që të arrijmë ato objektiva ambiciozë që i kemi vendosur vetes që brenda muajit maj, të kemi arritur një numër prej 500 mijë vaksinimesh dhe për të arritur dhe planin tonë ambicioz të vaksinimit të gjithë popullatës brenda pranverës së vitit të ardhshëm”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë.

SHKARKO APP