Manastirliu-qytetarëve: Vaksinohuni për të përballuar variantet e reja të Covid-19
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen për të qenë më të mbrojtur gjatë verës. Manastirliu thekson përmes një postimi në faceook, se në këtë mënyrë mund të përballohen edhe variantet e reja të koronavirusit dhe vjeshta.
“Vaksinim. Vaksinim. Vaksinim. Sa më shumë qytetarë të mbrojtur gjatë muajve të verës, aq më mirë do t’i bëjmë ballë varianteve të reja të mundshme të Covid-19 dhe vjeshtës së ardhshme”, shkruan Manastirliu.
Kreu i urgjencës Skënder Brataj, lëshoi të njëjtin apel për qytetarët, në një kohë kur rreziku nga varianti Delta është shumë pranë.
Procesi i vaksinimit në vendin tonë vijon për personat mbi 50 vjeç dhe punonjës të shërbimeve kritike. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 974,486 doza të vaksinës ndaj Covid-19. Prej tyre 407,402 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-covid.