Manastirliu: Realizohet një operacion i vështirë në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”
Një operacion i shkallës së lartë të vështirësisë u krye me sukses nga ekipi i Shërbimit të Obstetrikë-Gjinekologjisë në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, duke i shpëtuar jetën pacientes 79-vjeçare të prekur nga një sëmundje e rëndë.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në një postim në rrjetet sociale. “Një tjetër histori suksesi nga ekipi i Shërbimit të Obstetrikë-Gjinekologjisë në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, ku është kryer operacion i shkallës së lartë të vështirësisë, duke i shpëtuar jetën pacientes 79-vjeçare të prekur nga një sëmundje e rëndë. Një punë fantastike e ekipit me Prof. Asc. Eliona Demaliaj, Dr. Fatjon Balla, Dr. Zef Delia, Dr. Marinela Lica, Dr. Megi Çela dhe infermieret: Daniela Bimi, Manjola Bega, Myzejen Sharka”, tha Manastirliu.
Pacientja 79-vjeçare tha se “erdha e pashpresë dhe tani jam shumë mirë, jam shumë më mirë se e mendoja”. Prof.Asc. Eliona Demaliaj tha se “vendimmarrja në staf për të bërë operacionin ishte e gjatë për shkak jo vetëm të stadit të sëmundjes, të moshës së pacientes, por edhe problematikave që mund të haseshin siç u hasën”.
“Në shërbimin gjinekologjik në maternitetin tonë kryhen një sërë ndërhyrjesh gati 1 mijë në vit, por ky ishte i një nga operacionet më të vështira. Rezultati që shikojmë tek kjo paciente na bën të themi që është rast suksesi”, tha Demaliaj.
Dr. Fatjon Balla u shpreh se “realizuam ndërhyrjen për heqjen e mitrës bashkë me vezoret dhe metastazat”. Ndërhyrja ishte e gjatë, e komplikuar me trajtimin e nevojshëm operacioni kaloi mirë”. “Pacientja ka kryer një ndërhyrje të vështirë, pasi rrezikohej nga hemorragjia, problemet e zemrës etj. Shkoi shumë mirë si ndërhyrje ndërkohe që ka pasur një kujdes të mirë pas ndërhyrjes”, tha Dr. Zef Delia.