Manastirliu: Reanimacioni i ri në Spitalin “Shefqet Ndroqi” me standarde europiane

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inspektoi spitalin universitar “Shefqet Ndroqi” në kuadër të forcimit të njësive të terapisë intensive në spitalet universitare dhe rajonale. ”Ne u angazhuam që të fuqizojmë të gjithë shërbimin e reanimacionit sidomos në spitalet që kemi vendosur në strategjinë tonë të ofrojmë shërbim për pacientët me Covid-19. Nga ana tjetër nuk kemi lënë pas fuqizimin e shërbimeve të reanimacionit në spitalet rajonale. Sepse ndërkohë që ju përgjigjemi të sëmurëve me Covid-19, duhet t’ju përgjigjemi edhe pacientëve të tjerë, aty ku jetojnë, afër vendbanimit”.

Prof. Perlat Kapisyzi, drejtuesi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” tha se “ky reanimacion sa i përket pajisjeve është 100% i rinovuar, me rastin e përballimit të Covid-19. ”Janë të gjithë krevatët e rinovuar. Për herë të parë këtu kemi monitorët e teknologjisë së lartë, shumë të rëndësishëm për ndjekjen e pacientit në reanimacion. Gjithashtu edhe cpap, kemi shiringat elektrike, kemi sistemet e intubimit, laringoskopët, helmeta. Kanë ardhur edhe 100 monitorë për pacientët, që është një plotësim shumë i mirë i shërbimit”.

Duke deklaruar se po merren masat për përballimin e fluksit të shtuar si pasojë e Covid-19, Manastirliu tha se do të konsiderohet rihapja e “Shefqet Ndroqit”, me shtimin e rasteve të rënda në terapi intensive. Sipas skenarëve të paracaktuar, në këtë faze, nëse do të rriten shtrimet në spitalin Infektiv, do të vijohet me hapjen e spitalit COVID-3 (Ish-Kirurgjitë në QSUT) dhe paralelisht, nëse shtohet rastet në terapi intensive do të konsiderohet hapja edhe e spitalit ‘Shefqet Ndroqi’ për trajtimin e të prekurve me Covid19 në gjendje të rëndë dhe më pas është parashikuar COVID 4 në varësi të fluksit. Duke falënderuar të gjithë stafin mjekësore për punën, Manastirliu tha se do të vijohet të sigurohen terapitë e nevojshme por kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për të kufizuar përhapjen e Covid-19.

SHKARKO APP