Manja: Brenda qershorit plotësohen vakanca në Kushtetuese
Gjatë debatit për projektligjin e “Shërbimit përmbarimor gjyqësor privat”, Manja bëri një bilanc të reformës në drejtësi, duke nisur nga vendimi i Kuvendit në vitin 2014 për nisjen e kësaj reforme. “Brenda qershorit 2019 ne do të kemi të plotësuara vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, por edhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë”, deklaroi sot në Kuvend kryetari i komisionit të ligjeve, Ulsi Manja.
Me votimin e këtij projektligji sot, tha ai, “Kuvendi përmbyll përfundimisht me sukses miratimin e plotë të të gjtha ligjeve të paketës së reformës në drejtësi”. “Bilanci i plotë i reformës në drejtësi që ka ndërmarrë kjo maxhorancë që kur erdhi në pushtet përfshin miratimin e 30 ligjeve dhe një vendimi të Kuvendit. Nga 30 ligjet e miratuara, 14 janë me shumicë të cilësuar. Në total kemi miratuar 2013 nene”, tha Manja.
Ai kujtoi se të gjitha shqetësimet e opozitës e kanë një përgjigje dhe ajo është shtyrja e deri në janar 2017 e zbatimit të Vetting-ut të miratuar në vitin 2016, për shkak të ankimimit në Gjykatën Kushtetuese nga PD.
“Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë është e kondicionuar vetëm nga Vetingu. Në janar u zhbllokua ligji, por PD bojkotoi Kuvendin dhe hyri në çadër. Në marrëveshjen e 17 majit kushti i vetëm nga PS ishte vota për të ngritur organet e reja të Vetingu, të cilat u votuan në qershor 2017 për t’u bërë funksionale vetëm në fund të vitit 2017, për shkak të plotësimit të strukturës”, tha Manja.
KOHA JONË SONDAZH

