Maqedonia në kaos pas zgjedhjeve, ndërhyn Tirana zyrtare, ja me kë duhet të bëjë koalicon Ahmeti

Katër vjet më parë, kur në Maqedoninë e Veriut zgjedhjet i kishte fituar Nikolla Gruevski dhe tentoi të bënte një koalicion me BBI-në e Ali Ahmetit, në Tiranë Edi Rama punoi fort kundër këtij versioni.

Ndërsa PD-ja dhe LSI-ja ishin për të mbështetur një aleancë të re mes Gruevskit e Ahmetit, pas përplasjes në Parlamentin e Maqedonisë, ku u rrahën barbarisht Zaev e Zijadin Sela, Edi Rama mblodhi në Tiranë partitë shqiptare të Maqedonisë së Veriut dhe u firmos pakti i një koalicioni me LSDM-në e Zaevit, që atëherë ishte parti e dytë. Sot Zaev ka fituar zgjedhjet si parti e parë, por nuk qeveris dot pa votat e shqiptarëve.

Edi Rama, sërish ka inkurajuar një koalicion ndërmjet Ali Ahmetit dhe LSDM-së. Siç bën të ditur BDI-ja, kreu i kësaj partie Ali Ahmeti ka pritur në zyrën e tij, ambasadorin e Shqipërisë në Shkup, Fatos Reka (në foto), i cili i ka përcjellë kreut të partisë shqiptare me më shumë deputetë në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, urimet e kryeministrit Edi Rama për fitoren. Takimi mes Rekës dhe Ahmeti u zhvillua dy ditë më parë ku vetë Ahmeti publikon letrën e dërguar nga Rama me rastin rezultatin të zgjedhjeve parlamentare.

“Ambasadori Reka përcolli uratat e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, drejtuar kryetarit Ahmeti për fitoren e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 15 korrikut. Z. Ahmeti ka njoftuar ambasadorin Reka për ecurinë e zhvillimeve paszgjedhore me ç’rast ka theksuar nevojën për konsolidim të shpejtë të institucioneve të dalura nga zgjedhjet dhe respektimin e votës dhe vullnetit të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e BDI-së.

Ndërkaq, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut do të konstituohet të martën e ardhshme nën masa të rrepta distancimi social, si pasojë e situatës së rëndë të Covid 19 në këtë vend. Ambasada Amerikane në Shkup, lëshoi një deklaratë të rëndësishme për formimin e qeverisë, ku bëri thirrje që të vijohen reformat e nisura nga kabineti i shkuar.

Sinjal i qartë se Uashingtoni përkrah një koalicion ndërmjet Zaevit dhe BDI-së dhe jo rikthim të VRMO-DPMNE-së.

“Është e rëndësishme që Maqedonia e Veriut të mbajë kursin pozitiv të muajve të kaluar sa i përket integrimit euroatlantik dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, si dhe të intensifikojë përpjekjet në fushat kritike si sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit në të gjitha format e tij”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane në Maqedoninë e Veriut./Ylli Pata

SHKARKO APP