Marijuanë, arsenal armësh dhe targa të vjedhura, 2 në pranga 1 nën hetim në Durrës
Dy persona u arrestuan në flagrancë, ndërsa një tjetër do të hetohet në gjendje të lirë gjatë një operacioni të Policisë së Durrësit quajtur “Shkozeti”. Shtetasit me inicialet Sh.H., 34 vjeç dhe E.H., 22 vjeç, të dy banues në Durrës, të dënuar më parë për shtije të lëndëve narkotike, u arrestuan në flagrancë pasi u kapën me dhjetëra doza marijuanë, municione luftarake, celularë dhe targa të vjedhura.
“Gjatë operacionit, si rezultat i kontrollit të ushtruar në një magazinë në pronësi të shtetasve E. H. dhe SH. H., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dhjetëra doza me marijuanë, 425 fishekë luftarak, një peshore elektronike, 2 palë targa, si dhe 4 aparate celular të markave të ndryshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Mbajta pa leje e armëve dhe municionit” dhe ‘Moskallëzimi i krimit’”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkohë, policia ka nisur hetimin në gjendje të lirë për shtetasin me inicialet I.H., banues në Durrës. Për shkak të moshës, thotë policia, ky shtetas do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë.