Mark Frroku, akuza për evazion fiskal pas shitjes së kompanisë së basteve

Drejtoria e Hetimit Tatimor kallëzoi në prokurorinë e Tiranës ish-kompaninë e basteve sportive të deputeti Mark Frroku, për akuzën e evazionit fiskal dhe mos pagimit të detyrimeve tatimore. Pak ditë më parë, pranë zyrave të Task-Forcës në prokurorinë e kryeqytetit, është administruar kallzim penal, i cili është regjistruar dhe po hetohet nga prokurorja Antoneta Sevdari. Kompania sportive e Frrokut kishte ndryshuar pronarë përfundimisht në korrik 2014, kohë kur deputeti demokristian i ka shitur të gjitha aksionet tek shtetasi gjeorgjiano izraeliti Amiran Dzanashvili me vlerën e rreth 1.5 mln euro. Sipas kallëzimit, vlera reale e shitjes mendohet se është fshehur dhe për shifrën e shitjes, dyshohet se nuk ka paguar detyrimet prej 15 % të vlerës së fitimit. Tatimorët dyshojnë se kompania nuk ka deklaruar të gjitha transaksionet e kryera duke ju shmangur detyrimeve tatimore. Në kallëzim, thuhet gjithashtu se kompania sportive nuk ka shlyer detyrime tatimore të përmuajshme, çka ka konsumuar element të veprës penale për të cilat është kallëzuar.  Për llogaritë e këtij hetimi, prokuroria ka kërkuar sekuestrimin e të gjitha praktikave të ndjekura në Qendrën e Kombëtare të Regjistrimit të bizneseve. Po ashtu u janë kërkuar nga të gjitha bankat e nivelit të dytë në vend, të dhënat analitike të transaksioneve të kryera në emër të pronarëve de administratorëve të kësaj kompani, duke mos përjashtuar edhe kohën kur ajo drejtohej nga deputeti Mark Frroku. Amiran Dzanashvili, sipas medieve rumune,  është arrestuar në Rumani  një muaj pas blerjes së të gjitha aksioneve dhe shlyerjes së detyrimeve ndaj deputetit Frroku. Ndaj tij janë ngritur dyshime se është pjesë e një grupi kriminal që shfrytëzonte prostitutat e klasit të parë. Aktualisht Mark Frroku ndodhet në arrest me burg, por i shtruar në spital, me probleme shëndetësore dhe pret që të kryejë një ndërhyrje kirurgjikale.

SHKARKO APP