Mark Frroku mund të arrestohet sërish të hënën
Aktualitet E Hënë, 12 Prill 2021 15:22
Deputeti i zgjedhur në qarkun e Shkodrës Mark Frroku doli me buzëqeshje nga Gjykata e Lartë pas vendimit për ta lënë atë në “arrest shtëpie” megjithatë gjasat janë që ai shumë shpejt të kthehet në dhomat e paraburgimit të drejtorisë së Policisë së Tiranës. Shkak për këtë është çështja e dytë që Prokuroria ka nisur ndaj tij, lidhur me një akuzë të autoriteteve belge për një vrasje të ndodhur në vitin 1999 në Bruksel.
Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit mblidhet të dielën pasdite në orën 16.00 për të diskutuar mbi kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm dhe që kërkon sërish heqjen e imunitetit për arrestimin e deputetit Mark Frroku. Lapsi.al mësoi se kjo mbledhje e dytë për Frrokun do të drejtohet nga vetë kryetari i Kuvendit Ilir Meta i cili nuk do t’ja delegojë atë nënkryetarit Vangjel Dule. Drejtimi i mbledhjes nga Meta duket se nuk do të pranohet nga opozita e cila do ta kundërshtojë.
Me shumë gjasa Këshilli i Mandateve do të japë autorizimin për arrestimin e deputetit të zgjedhur me votat e Pukës dhe pastaj çështja do t’i kalojë seancës plenare. Mesohet se edhe në këtë pikë procedurat do të avancojnë shumë shpejt dhe është duke u menduar një mbledhje e Kuvendit në senacë plenare të jashtëzakonshme ditën e hënë pasdite.
Frroku qëndroi vetëm dy net në drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe ndoshta të hënën do të rikthehet aty. Një fakt mbetet ende në pikëpyetje. Sa kohë ka kërkesa e Interpol Belgjika që u ka mëbrritur autoriteteve zyrtare shqiptare për ndalimin e Mark Frrokut. Nëse ajo ka mbërritur që një muaj më parë (siç thuhet) përse nuk u bë asnjë veprim për këtë çështje, por u la për këtë moment.
KOHA JONË SONDAZH