Mark Frroku u dënua në 2012 për plagosje

 

Mark Frroku nuk rezulton i dënuar vetëm në Belgjikë. Në Bruksel është dënuar në shkallën e parë me 10 vjet për vrasjen e Aleksandër Kurtit, proçes që vijon në Gjykatën e Apelit. Por përpara se të zgjidhej deputet ai është dënuar edhe nga Gjykata e Tiranës.

Më 24 prill të vitit 2012, gjyqtari Ibrahim Hoxha e ka shpallur fajtor për plagosje të lehtë me dashje. Ai është dënuar vetëm me 60 mijë lekë gjobë, për goditjen e një klienti në lokalin e tij në zonën e Kombinatit. Prokuroria kishte kërkuar dënimin me 150 mijë lekë gjobë.

“Deklarimin fajtor të të pandehurit Mark Prengë Frroku  për veprën penale të “Plagosjes se lehte me dashje“,  parashikuar nga neni 89  të Kodit Penal dhe po në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 90.000 (nëntëdhjetëmijë) lekë gjobë. Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale përfundimisht i pandehuri Mark Prengë Frroku dënohet me 60.000 (gjashtëdhjetëmijë) lekë gjobë. Pagimi i gjobës do të bëhet brënda një viti nga data që vendimi të marrë formë të prerë. Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të të pandehurit Mark Frroku. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit Tirane, brenda 10 ditëve nga e nesërmja e shpalljes. U shpall sot, më 24.04.2012.”

Mark Frrokut iu dha ky dënim pasi ai e pranoi krimin. Në një nga seancat avokati i tij mbrojtjës u shpreh se ai  ndihej i penduar. “I pandehuri tha : Une ndihem I penduar .Kerkoj nga gjykata nje denim sa me te bute”. Frroku u kallëzua nga shtetasi B.Gosturani. Më 11 shtator të vitit 2011 ai u godit nga Frroku me “një mjet të fortë mprehtës”, siç rezulton në raportin mjekoligjor, pas një debate që ai dhe bashkëshortja e tij patën me një kamariere të lokalit të Frrokut. Sherri nisi kur kamarierja pretendonte se Gosturani nuk e kishte bërë pagesën, ndërsa klienti këmbëngulte se e kishte paguar faturën. Në këtë moment ka ndërhyrë Mark Frroku duke e goditur atë dhe duke i shkaktuar disa plagë.

Mark Frroku ka mohuar që ai të ketë qenë i dënuar më parë për ndonjë vepër penale. Vendimi i gjykatës provon të kundërtën, ndonëse dënimi është me gjobë.

 

SHKARKO APP