Marrëveshja për reformën zgjedhore, nënkryetari i PR: Opozita ka ofruar disa alternativa për zgjidhjen e krizës
Nënkryetari i Partisë Republikane, Blendi Sulaj iu është bashkuar reagimeve që solli marrëveshja e sotme mes opozitës jashtëparlamentare dhe maxhorancës, ku palët u ulën në një tryezë për reformën zgjedhore. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Sulaj tha se ulja në dialog e palëve politike është një lajm i mirë që duhet përshëndetur. Nënkryetari i PR-së tha se opozita ka ofruar disa alternativa për zgjidhjen e krizës, ndërsa shtoi se vullneti i saj është i qartë, ku qëllimi final janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
“Ulja dhe dialogu ndaj palëve politike është lajm i mirë dhe duhet përshëndetur. Por të mendojmë pse erdhëm në këto momente? Erdhëm këtu pasi kemi një kod zgjedhor që nuk i përfaqëson qytetarët dhe që u përbuz nga maxhoranca, e cila solli në Kuvend, persona me rekorde kriminale. Kjo ishte arsyeja se pse ne pamë mundësinë e ndryshimit të kodit zgjedhor, për të sjellë njerëz pa rekorde kriminale. Mendoj se ulja e palëve politike në një tryezë që mund të debatojnë opinionin dhe të arrijnë në konkluzione për reformën zgjedhore, them se është lajm i mirë për të gjithë shqiptarët.”, tha Sulaj.
Teksa u pyet për faktin nëse ndryshimet në kodin zgjedhor do të kenë efekt, Sulaj tha se:
“Nuk mendoj se janë akuza të ngritura nga opozita, por janë fakte të ngritura nga prokuroria. Vitin e fundit ne kishim një sërë përgjimesh që implikonin njerëz të maxhorancës, të cilët ishin pjesë e pazareve në qarkun e Dibrës, apo të Durrësit, ku shikohej qartësisht se si manipulophej vullneti i qytetarëve. E rëndësishme është që pikat që ka bërë opozita bashkë me grupin e tyre, mund të frenojnë dhe të riparojnë problemin e parë, siç është manipulimi i votës. Propozimet do të shpalosen edhe më pas me takimet mbas janarit. Në 2017-ën e pamë se elementë të caktuar kriminale, njerëz që ishin të lidhur me pushtetarë, ishin njerëz që manipuluan zgjedhjet. Disa janë në burg, disa duhet të ndëshkohen edhe sot. Ne duke evidentuar problematikat, e më pas me hapat që do të marrin ekspertët, duhet të përfshihen një gamë e madhe njerëzish që të japin mendimin e tyre. Mendoj se listat e hapura, apo një sistem që përfaqëson qytetarët, do ishte zgjedhja më i mirë për opozitën sot. Ne kemi 15 vjet që dëgjojmë qytetarët që thonë; ne nuk jemi të përfaqësuar me këtë sistem. Deri në 15 mars, që është afati i fundit i mbylljes së reformës zgjedhore, duhet të jemi të kujdesshëm. Kodi zgjedhor është baza e atyre njerëzve që do na përfaqësojnë ne nesër në parlament. Zoti Basha si kryetar i opozitës i ka pranuar dhe i ka pëlqyer propozimet. Por do shohim si do të ecë procesi. Duke vendosur intelektualë në lista, minimalisht kemi ulur rrezikun dhe jo të vendosim njerëz që kanë ardhur nga bota e krimit. Sot ata që kanë rekorde kriminale kanë zgjedhur një mënyrë tjetër. Nuk dalin vet, por vendosin një të afërm dhe dalin dhe bëhen deputetë. Këto grupe njerëzish duhet të largohen dhe mos t’u jepet mundësia më për të kandiduar. Opozita ka ofruar disa alternativa për zgjidhjen e krizës. Mendoj se vullneti politik i opozitës është i qartë për të qenë pjesë e një gare të drejtë.”.