Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, u shpreh në Parlamentin Evropian se Shqipëria ka bërë përparim në rrugën drejt integrimit në BE, duke mbyllur deri tani katër kapituj negociues. Ajo theksoi se vendi duhet të vijojë punën për realizimin e synimit për anëtarësim në BE dhe për përmbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027.
Kos u shpreh se Shqipëria duhet të bëjë më shumë në çështjet që lidhen me drejtësinë dhe mjedisin, të cilat, sipas saj, kanë rëndësi jo vetëm për procesin e integrimit evropian, por edhe për vetë qytetarët.
“Ritmi me të cilin Shqipëria po zbaton reformat e BE-së është një tregues i angazhimit të saj për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Është shënuar përparim në zbatimin e reformave kyçe. Këtë vit u arrit një etapë e rëndësishme me përmbushjen e kritereve të ndërmjetme për grupkapitullin e parë, atë të Themeloreve.
Që prej asaj kohe, Shqipëria ka mbyllur përkohësisht katër kapituj dhe po punon për përmbushjen e kritereve përmbyllëse për kapituj të tjerë. Në të njëjtën kohë, do të na duhet të shohim një vijimësi të përqendrimit te përparimi në fushat kyçe. Kjo është e rëndësishme që Shqipëria të përmbushë objektivin e saj ambicioz, por të arritshëm, për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027.
Në qendër të çdo përpjekjeje për reforma duhet të jenë sundimi i ligjit, një gjyqësor i pavarur, liria e medias dhe mbrojtja e të drejtave themelore. Përparimi në çështjet mjedisore duhet të jetë gjithashtu një përparësi. Këto çështje kanë rëndësi jo vetëm për anëtarësimin në BE, por edhe për shoqërinë shqiptare dhe jetën e përditshme të qytetarëve”, tha ajo.
